E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulja e temperaturave rrit çmimet e gazit dhe druve të zjarrit

Ulja e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka bërë që qytetarët t‘u drejtohen dyqaneve për më tepër gaz, kryesisht për ngrohje. Si rezultat i rritjes së kërkesave pranë qendrave të shitjes së gazit të lëngshëm në qytetin e Beratit, mësohet se ka pasur një rritje të çmimit krahasuar me një muaj më parë. Qytetarët ankohen se gjatë ditëve të fundit, një bombol gazi 10 litërshe që një muaj më parë kushtonte njëmijë lekë, gjatë dy ditëve të fundit kushton 1100 lekë të reja. Në lidhje me këtë rritje të çmimit, tregtarët e gazit të lëngshëm thonë se kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit në pikat ku ai tregtohet me shumicë. Me gjithë pretendimet e ngritura prej tregtarëve, qytetarët kanë nisur tashmë të konsumojnë më tepër gaz në banesat e tyre dhe pse cilësia sipas tyre lë shumë për të dëshiruar. Por, gazi duket se nuk është e vetmja mënyrë që qytetarët kanë zgjedhur për ngrohje në këto ditë të para të dhjetorit. Kohët e fundit në këtë qytet është vënë re rritja e kërkesave për dru zjarri për ngrohje. Por, dhe çmimi i druve për ngrohje nuk ka pësuar rritje gjatë ditëve të fundit. Në pikat jo të shumta të shitjes së drurëve të zjarrit mësohet se qytetarët çdo ditë e më tepër po i rikthehen konsumimit të drurit për ngrohje. Por, qytetarët nga ana e tyre ankohen se një metër kub dru tashmë kushton 3600 lekë, ndërsa një muaj më parë çmimi ishte tremijë lekë. Me të gjitha këto rritje çmimesh, qytetarët thonë se këto mbeten alternativat e vetme për ngrohje në këtë stinë dimri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›