Amaneti, 40 mijë USD për Bibliotekën
ALMA MILE
Ky ishte amaneti i saj i fundit. Një ndihmë për Bibliotekën Kombë-tare. Jo pak, por 40,000 dollarë është shifra e depozituar në një bankë të Nju Jorkut dhe tanimë e kaluar në një bankë shqiptare, në emër të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Është një dhuratë e Prof. Dr. Safete (Sofia) Jukës. Katër vjet pas vdekjes plotësohet amaneti i studiueses, e cila mbetet e njohur në kulturën shqiptare për punimet e saj historike, ndër të cilat dallon monografia "Kosova: The Albanians in Yougoslavia in light of historical documents", Nju Jork 1984. Mësohet se ka qenë e motra e studiueses, Lume Juka, e cila i ka komunikuar këtë dëshirë drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Dr. Aurel Plasari. "Prof. Dr. Safete Sofia Juka - motër e jemja e dashtun e njeri me vlerë -ka depozitue në nji Bankë të New York-ut nji shumë prej $ 40.000 (dyzet mijë dollarë) që t'i kalojnë Bibliotekës Kombëtare Shqiptare. Nuk ka kenë e pasun. Ia ka hjekë vetes me ia dhurue bibliotekës. Ka çue nji jetë fare të thjeshtë. Ka banue me qerá në nji apartament të vogël, pa lukse, por të mbushun me piktura të sajat dhe me libra në gjuhë të ndryshme. Ka pasë nji kulturë të gjanë, por gjithashtu nji modesti të pashoqe. Respekti që kishte për dije dhe për librin ishte i pafund. Lexonte pa u ndalë, qysh se ka kenë fmí dhe i thojshim: "TI KÉ LÉ ME LIBËR NË DORË". Nuk ka mendue kurrë me u ba "e njoftun". Çdo vepër e saj ka kenë vetëm në kërkim të së bukurës, të së mirës, të së vërtetës, tue u mundue që t'i shprehi ato në mënyrë të përsosun", i shkruan Lume Juka, drejtorit të BK-së, i cili na ofroi letërkëmbimin e tij me të. "Kët dhuratë, motra e ka ba me gjith zemër, e sigurtë se do të përdoret për të mirën e bibliotekës. Nuk ka vue asnji kusht apo konditë… Vetëm nëse, ju dhe komisioni, do ta shifni të arsyeshme me nderue nji gjest të tillë tue mendue se mund të frymëzojë edhe njerëz të tjerë me ba të njajtën gjâ, e kështu do t'u ndihmonte biblioteka", vazhdon Juka, duke cituar më poshtë një shkrim të gazetës "Illyria", 18-24 mars 2006, ku Ismail Kadare tërhoqi vëmendjen e Qeverisë shqiptare për moskujdesin e duhur ndaj bibliotekave shqiptare. "Lexuesit nuk kanë aq para sa të blejnë të gjith librat, ndaj duhen biblioteka të mira, të kompletuara, dhe me gjitha kushtet, në mënyrë që të tërhiqet sa më shumë lexuesi drejt librit. Është përgjegjësi e Qeverisë shqiptare që të ua bëjnë të lehtë leximin e librit lexuesve", citon ajo. Nga ana e vet, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari i ka premtuar znj. Juka, se shuma e lënë prej së ndjerës do të miradministrohet në respekt të legjislacionit shqiptar në fuqi. Simbas vendimit të njëzëshëm të Këshillit Shkencor të Institucionit do të përdoret vetëm-e-vetëm për pasurimin e Bibliotekës Kombëtare me botime të fushave të Albanologjisë dhe Balkanologjisë. Sipas tij i gjithë koleksioni në fjalë do mbajë shënimin e dallueshëm: "Nga dhurimi i Znj. Safete Juka". Në një letër drejtuar znj. Lume Juka, Plasari shpreh jo vetëm mirënjohjen për këtë dhuratë, por edhe emocionin vetjak, të intelektualit: "Kam pasur fatin, para disa vitesh, ta takoj zonjën e ndjerë në zyrën time të punës - duke marrë me të unë një kafe, ndërsa ajo një gotë ujë - dhe të konstatoj drejtpërsëdrejti lidhjen e saj intime me librat, dashurinë e saj për kulturën shqiptare, pasionin e spikatur për historinë, posaçërisht Albanologjinë. Përshkrimi që i bëni Ju tani motrës suaj në letrën tuaj e plotëson për ne portretin e saj. A do të më lejoni t'Ju siguroj që e përkap fort mirë portretin që Ju i bëni, duke qenë edhe vetë njeri që e kam lidhur ngjashëm jetën me librin? Që shpenzimet e mundshme të hequra nga paga e nëpunësit i shpenzoj - pikërisht sikurse tregoni Ju për motrën Tuaj - për libra? Apartamenti i saj i vogël, që ka pasur për "pasuri" vetëm libra dhe piktura, sikurse Ju tregoni, më kujton apartamentin tim, gjithashtu krejt modest, që për pasuri ka jo më shumë se "libra" dhe "piktura". Ndaj dhe ndihem dyfish i emocionuar për aktin bamirës të motrës Suaj dhe për modelin e jetës së Saj gjithnjë më të rrallë në ditët tona".