E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi: Vrava gruan se më ishte bërë shtëpia ferr

 

GJIROKASTËR- Menjëherë pas ndalimit nga uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, vrasësi i bashkëshortes e ka pranuar krimin, por duke e justifikuar atë me “tradhtitë” e së shoqes. “E vrava, sepse shtëpia më ishte bërë ferr. Të gjithë, gruaja dhe fëmijët më rrinin me inat, nuk më flisnin. E qëllova disa herë me një gur ndërsa flinte dhe kështu vdiq”,- ka deklaruar përpara hetuesve Halil Roshi, baba i katër fëmijëve.

***

Burime konfidenciale në policinë e Gjirokastrës kanë deklaruar se autori i ngjarjes, ka qenë plotësisht i përgjegjshëm dhe gjakftohtë në momentin e krimit, madje e kishte përgatitur atë ditë më parë. Por, vetë autori i krimit është munduar të justifikohet duke deklaruar se menjëherë pas vrasjes së të shoqes kishte pirë fostoksinë për t’i dhënë fund edhe jetës së vet, por sipas specialistëve të policisë fakti që për 12 orë me radhë ka qëndruar i fshehur dhe pa asnjë ndihmë mjekësore tregon se Roshi nuk ka konsumuar asnjë mjekim të dëmshëm. Ka qenë xhelozia e theksuar që Halil Roshi ushqente ndaj së shoqes, ajo që për 20 vite me radhë kishte sjellë në mënyrë të vazhdueshme grindje në këtë familje. Viktima, Donika, njihej nga fqinjët si një grua, nënë dhe bashkëshorte shembullore dhe vdekja e saj në mënyrë makabre e ka tronditur komunitetin e qetë të zonës së Topullarajve.

***

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e mesnatës duke u gdhirë e premtja ku gjithçka ka nisur në dhomën e gjumit të çiftit. Sipas fqinjëve, debatet e ashpra mes çiftit kanë nisur që në orët e mbrëmjes së një dite më parë kur me zë të lartë Halili i ishte drejtuar dhjetëra herë të shoqes që të mos dilte nga shtëpia pa lejen e tij. Në sherrin e lindur para aktit të krimit, kanë marrë pjesë edhe dy fëmijët që banojnë aktualisht në fshat pasi dy fëmijët e tjerë 20 dhe 24 vjeç djalë e vajzë, studiojnë në Tiranë. Por pas mesnatës Halili ka kryer krimin makabër, duke u larguar më tej nga vendngjarja. Arrestimi i tij është bërë i mundur vetëm nëntë orë më vonë pas një kurthi të policisë.Mbi të rëndon akuza e “Vrasjes me paramendim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›