Abuzimet me tokën, nën akuzë kreu i komisionit
DURRËS- Falsifikimet e shumta në dokumentet e tokave në shume zona të Durrësit dhe në periferi të tij kanë vënë nën akuzë kryetarin e komisionit të ndarjes së tokës në Fermë të Xhafzotaj. Rushdi Alia akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve pasi i ka njohur të drejtën e pronësisë së tokës një shtetasi duke ia rrëmbyer një bashkëfshatari tjetër. Alia, i lindur në Fier dhe banues në Fermë Xhafzotaj, është emëruar para disa vitesh në cilësinë e kryetarit të komisionit të ndarjes së tokës.
Burimet e policisë pohuan se bëhet fjalë për denoncimin që ka bërë shtetasi me inicialet D.K 40 vjeç, banor i zonës, i cili ka vendosur të kërkojë ndihmën e organeve të specializuara të shtetit për të zbardhur falsikimin. Në kallëzimin penal thuhet se kryetari i ndarjes së tokës në Fermë, Rushdi Alia i ka marrë 8400 m2 tokë të trashëguar me tapi të vjetër dhe ia ka dhënë një fermeri të të njëjtit fshat. Trashëgimtari i pronës së tokës për të cilin ka thënë se ka dokumente dhe tapi të vitit 1931 ka tentuar disa herë të bindë komisionin dhe vetë kreun e këtij komisioni Rushdi Aliun se toka është e tij. Ndërsa ankesa, sipas policisë, ka vijuar për disa muaj me radhë kryetari i ndarjes së tokës si dhe vetë komuna e Rrashbullit nuk ka ndërhyrë për të zgjidhur konfliktin e krijuar mes palëve. Situata duket se është acaruar kohët e fundit pasi personat që e trashëgojnë këtë sipërfaqe toke kanë mësuar se komisioni i tokës i ka dhënë të drejtë përfituesit të cilësuar të paligjshëm. Disa herë palët janë konfrontuar rëndë dhe kjo ka nxitur familjarët e dëmtuar të apelojnë tek policia. Dje në mjediset e policisë është kërkuar të dëshmojë para oficerëve të policisë gjyqësore, shtetasi Rrushdi Alia, i cili ka mësuar edhe akuzën që rëndon mbi të. Grupi hetimor ka bllokuar në cilësinë e dokumenteve të vlefshme për të zbardhur të vërtetën e këtij falsifikimi, disa formularë, certifikata, tapi që dëshmojnë pronësinë, vendimin e komisionit të ndarjes së tokës etj. Mark Brunga