E Diel, 1 Nëntor 2026

Ultimatumet anti-Evropë të Edvinit do hasin në barrikadën e shqiptarëve

24-02-2012 / Gazeta 55

Mazhoranca i ka refuzuar dje të gjitha ultimatumet e opozitës, të cilat po synojnë kushtëzimin e procesit të integrimit me dorëzimin në tavolinë të pushtetit. Berisha u kujtoi kasnecëve të Edvinit se reformat s’do bien pre e tekave të tij dhe se ultimatumet e Ramës, për të bllokuar reformat dhe integrimin do e marrin përgjigjen me zgjedhjet e 2013-s

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në seancën plenare të Kuvendit, se opozita kërkon me çdo kusht të bllokojë reformat dhe integrimin e vendit. Kreu i mazhorancës theksoi se lidershipi socialist njihet për mos-besueshmërinë e tij në respektimin e marrëveshjeve, me qëllimin e vetëm bllokimin e reformave dhe integrimin e vendit.
Sipas kryeministrit mazhoranca ka qenë e gatshme për të adaptuar nen për nen rregulloren e Parlamentit Evropian, ndërsa opozita kërkon ndryshimin e Kushtetutës. Berisha deklaroi se
mazhoranca ka bërë gjithçka dhe ka qenë e gatshme për të bashkëpunuar për avancimin e këtyre reformave, ndërsa opozita nga ana tjetër, ka bllokuar këtë proces, duke rreshtuar dhjetëra kërkesa.
Akti i parë i opozitës sipas tij është shkelja e marrëveshjes, kur kërkojnë që Kryeministrit t’i kufizohet koha, të ketë kohë të barabartë me kreun e minorancës duke kërkuar kështu ndryshimin e Kushtetutës. “Lidhur me situatën e reformës zgjedhore dhe ndryshimeve në rregulloren e parlamentit, e vërteta është se në traditën tashmë qartësisht të kristalizuar pas reformave të vitit 2008, lidershipi socialist merr përsipër të grisë çdo marrëveshje. Gjë, e cila as nuk na befason dhe në bindjen tonë, ky qëndrim i opozitës nuk mund të zgjidhet në mënyrë kategorike nga Partia Demokratike dhe mazhoranca, pasi opozita është sovrane në të gjithë vendimet e saj dhe ky është kushti më themelor i ekzistencës së saj. Këtë e zgjidhin dhe do ta zgjidhin shqiptarët. Meqenëse dje, kryetari i Partisë Socialiste dhe sot, kryetari i grupit tuaj parlamentar sërish paraqiti serialin e akuzave, ndonëse ne kemi bërë gjithçka për avancimin e këtyre reformave. Një pjesë e juaja mbase nuk e dini, por dy muaj para se të arrihej e firmosej marrëveshja, lidershipi i tyre rreshtoi dhjetëra kërkesa për rregulloren e parlamentit. Natyrisht, duke qenë të bindur se kjo rregullore është e standardeve më të mira demokratike, por, për të mos mbyllur derën, qëndrimi ynë ishte: Ne pranojmë të shqyrtojmë rregulloren, duke e adaptuar atë nen për nen me një rregullore model dhe ky model do të ishte rregullorja e Parlamentit Europian. Pas refuzimit për një kohë të caktuar, më së fundi, lidershipi socialist e pranoi dhe votoi një vendim në parlament. Meqenëse rendën në seri për të akuzuar shumicën, cili është qëndrimi i tyre më mbrapa? Akti i parë i tyre është shkelja e marrëveshjes. Kërkojnë që kryeministrit t’i kufizohet koha e fjalës në parlament, pra, të ndryshohet Kushtetuta, kërkojnë që kryeministri dhe ministrat të mund të mos e marrin fjalën në parlament ndryshe, edhe pse kjo është e përcaktuar në këtë Kushtetutë e në çdo Kushtetutë tjetër, por vetëm në cilësinë e deputetit. Kërkojnë që kryeministri të ketë kohë të barabartë me kryetarin e minorancës në parlament, madje as të mazhorancës. Kjo, sepse kryetari i tyre, i cili është edhe kandidati kryesor për kryeministër, në logjikën formale, nuk garoi për deputet. Unë e pengova zotërinë? Përkundrazi, i ofrova në atë kohë, ndryshimin e Kushtetutës që t’i lejonte të ishte edhe kryetar bashkie, edhe të garonte si deputet. Këtë ia bëra në shenjë vendosmërie që të mos ndodhte, si në një rast unikal në Europë e në botë, ku komandanti nuk del në krye, por u thotë njerëzve të tij, si në një novelë greke: Prapa ju vjen Jani. Ndonëse mua më ndihmoi me mos garimin e tij dhe unë e falënderoj publikisht, sikundër e falenderoj publikisht që garoi edhe për bashkinë e Tiranës. Ky zotëri që nuk pranoi të garojë, që nuk pranoi të vijë në parlament, së pari, i thotë grupit të tij: Vërjani kryeministrit, kufirin tek thana në platformë dhe për të bllokuar reformën shkel marrëveshjen dhe kërkon ndryshimin e Kushtetutës. Së dyti, kërkojnë që dekretet të votohen fshehtas. Edhe në këtë parlament votojmë fshehtas për personat, por dekreti nuk është person, por akt madhor juridik. Nuk votohet personi, por dekreti, nuk votohet personi, por ligji. Të nderuar deputetë, ju kërkoni të impononi ndryshimin e nenit të Kushtetutës, që kryeministri të mos falë më shumë se 10 minuta apo baras me kryetarin tuaj të grupit. Ju betoheni për raportet. Po! Raportet janë të domosdoshme për t’u zbatuar, por raporti konsideron si një veprim shumë të drejtë, kalimin në fund të seancës të kohës 60 minutëshe të diskutimit mbi çështje të ndryshme. Kjo, juve nuk ju intereson, por as  nuk mund t’i lexojmë raportet sipas qejfit tuaj”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë akuzoi opozitën se bllokoi dhe kërkon me çdo kusht të bllokojë procesin e integrimit. Sikundër tha kryeministri, mazhoranca do t’i lutet opozitës për të mos e bllokuar statusin e vendit kandidat, pasi shqiptarët do të japin verdiktin e tyre në vitin 2013, ndërsa siguroi se asnjë vendim i ODIHR-it nuk është bllokuar dhe s’do të bllokohet ju doni me çdo kusht të bllokoni statusin.
“Ju doni me çdo kusht të bllokoni statusin. Në mënyrë absolute, as sot dhe as pesë vjet, kjo mazhorancë nuk do t’ju lutet që të mos e bllokoni, sepse ato janë të paefektshme. Tentuat ta bllokoni atë duke e lënë bosh krahun tuaj në këtë sallë, duke bllokuar rrugë e sheshe, bëtë 1700 demonstrata, rrethuat Këshillin e Ministrave, por e pësuat në mënyrën më ekzemplare, duke dështuar, sikundër edhe në 8 maj. Ju mund të veproni si të dëshironi. Nëse doni të ecim përpara, mirë, nëse jo, në 2013, shqiptarët do të japin verdiktin e tyre. Shqipëria është një përgjegjësi e të gjithë shqiptarëve. Kam shprehur dhe shpreh vlerësimin tim për opozitën, por, në qoftë se opozita nuk do, nuk është detyrë e mazhorancës as ta nanurisë, as ta kapë përdore. Detyra e mazhorancës është ta respektojë si forcë politike sovrane dhe ju do të respektoheni si të tillë! Asnjëherë mos mendoni se do mund t’i mashtroni kaq lehtë njerëzit e thjeshtë që na ndjekin”, tha ai.
Një tjetër çështje e cila ka krijuar bllokimin sipas kryeministrit janë dekretet për të cilat opozita kërkon të votohen fshehtas.
“Zotëri është dekret, edhe për personat këtu votojmë fshehtas, por dekreti nuk është person, dekreti është akt madhor, juridik dhe dekreti nuk është asnjëherë person. Nuk votohet personi, por votohet dekreti. Nuk votohet për personin por për ligjin. Tani si të doni. Doni të ecim ejani. Nëse nuk doni po vjen 2013 dhe shqiptarët do japin verdiktin e tyre. Kjo Shqipëri është përgjegjësi e gjithë shqiptarëve. Nëse opozita nuk do nuk është detyrë e mazhorancës as ta mënjanojë por ta respektojë si forcë sovrane. Mos mendoni se do mund të mashtroni kaq lehtë. U ulët për reformën e rregullores, firmoset për Parlament Evropian, por kërkoni t’i prisni fjalën kryeministrit e të ndryshoni Kushtetutën. Atij dhe atyre që nuk bëjnë ultimatume mos u bëni kurrë ultimatume. Atij dhe atyre që nuk bëjnë presione mos u bëni kurrë presione se do dështoni në mënyrë ekzemplare”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›