E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uluni, ju lutemi

Ylli Dylgjeri

Duhet të flasim. Mirë, nuk do t'i bie rrotull. Po i bie drejt: Duhet të uleni. Të zgjidhim krizën, ndryshe nuk ka BE! Ky është mesazhi i fundit që Ambasadori spanjoll, Manuel Montobio, i ka kërkuar për së fundmi, politikës shqiptare. Nëse jo, atëherë pasojat janë të mëdha! Perspektiva europiane e vendit është në rrezik! Kjo gjendje duhet të kapërcehet, në mënyrë që të shmangen edhe pasojat. Këtë apel, ambasadori Montobio e bëri pas firmosjes së një marrëveshje dypalëshe me Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Nga ana e tij, shefi i diplomacisë, zoti Meta, pasi ja faturoi opozitës shkakun në të cilin ndodhet aktualisht Shqipëria, deklaroi me diplomaci se është vetëm një lapsus qëndrimi i fundit i zotit Rama "se ne nuk tërhiqemi dhe nuk do të marrim pjesë në asnjë proces votimi, për asnjë nisëm që vjen nga ky pushtet, të cilin do ta përballim me gjithë fuqinë e rezistencës tonë"- Lapsus? Ashtu qoftë! Përsëri, zoti Meta, me gjuhën e një diplomati shqiptar, tashmë më me "kujdes" po i drejtohet opozitës për dialog. Them diplomati shqiptar, se diku tjetër si p.sh. në diplomacinë angleze, këto qëndrime të pandryshueshme inatçore të zotit Rama do t'i etiketonin pa mëdyshje sot "Die Hard", që përkthyer në shqip do të thotë kokëfortësi! Në politikën britanike, nofka "kokëfortë" është përdorur herët, për të përshkruar ato anëtarë të Dhomës së Lordëve, të cilët gjatë krizës së shkaktuar prej Lordëve në 1909 refuzuan të pranojnë çdo akt të Parlamentit të asaj kohe.
Jo, nuk jam çmendur që po kujtoj vitin 1909, sot në 2010-tën.
Kjo ka një logjikë të thjeshtë. Edi Rama dhe shumë nga Ne, duhet të vijmë në politikën e vitit 2010 duke dalë përfundimisht nga ngërçi shumëvjeçar i të inatosurve. PS, me vendimin e fundit radikal në grupin parlamentar, se "tash e tutje do të mbajmë qëndrime të kushtëzuara me legjislativin", tregoi sërish se nuk është një forcë politike konstruktive, duke ngjasuar kështu me një fis apo vllazëri që sjell çdo ditë tension në komunitet. Po vazhduam kështu, me luftë nervash, nuk do të jemi kurrsesi në gjendje të garojmë për marrjen e pushtetit apo të sigurojmë përkrahje të qëndrueshme ndërkombëtare. Pa stabilizuar qëndrimet dialoguese me njëri-tjetrin në politikë dhe realizuar këtë minimum të jetës demokratike, nuk do të kemi legjitimitet, kredibilitet dhe mbështetje për t'ia dalë mbanë.
Pra, zgjidhja e vetme është të tërhiqeni shpejt nga Die hard-i. Të ndalim luftën dhe shkëmbimet flakë për flakë dhe të ulemi në tryezën e bisedimeve. Kjo mund të nisë fare mirë tani për përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Deklarimet e fundit të ndërkombëtarëve dhe opinioni vendës kërkojnë të hiqet dorë njëherë e mirë nga qëndrimet e skifterëve në politikë apo të politikës së grushteve. Ka ikur koha të thuash përsëri se "Unë s'pyes për Rezolutën e Eurpës, sa të kem lejet e… gropës", apo "Unë s'pyes për Komisionin e Venecias se kam Tanin e Firences" dhe së fundi "Unë s'pyes për Doris Pack se e kam Shegushen hazerxhevap!"
Ka ardhur koha që t'i vëmë kapak këtyre muhabeteve. Ne kemi nevojë për njëri- tjetrin. Mund të trajnojmë çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje deputetët e rinj për oponencë të fortë ligjore, por kjo nuk do të ndryshojë asgjë, nëse hyhet në Kuvend me paravendimin se vota e tyre do të jetë kundër çdo ligji, për të rinisur protestat në shtator. ç'moment i pagjasë!
Prandaj them, duhet të uleni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›