E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, rritet tensioni, plagoset deputeti serb



Përfaqësuesit europianë dhe ndërkombëtarë në Kosovë kanë nisur të shqetësohen mbi përshkallëzimin e dhunës në Mitrovicë, pas incidentit të dytë të rëndësishëm brenda pak ditësh, plagosjen e një deputeti të Kuvendit të Kosovës. Petar Miletiç, deputet i Kuvendit të Kosovës, është plagosur dje në orën 8 të mëngjesit, duke dalë nga banesa e tij në veri të Mitrovicës. Drejt tij janë qëlluar katër plumba, por vetëm njëri e ka goditur në gju dhe tani ai po kurohet në spitalin e Mitrovicës. Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Verner Almhofer, e ka dënuar sulmin si “shkak plotësues për shqetësim lidhur me situatën e sigurisë në Mitrovicën Veriore, pas incidentit të dhunshëm më 2 korrik, ku u vra një person dhe shumë të tjerë u plagosën”. Ai bëri thirrje për “hetimin e këtij rasti dhe sjelljen para drejtësisë të autorëve. Edhe EULEX-i e dënoi sulmin. “Përdorimi i dhunës është krejtësisht i papranueshëm. EULEX-i përkrah Policinë e Kosovës në hetimet e tyre në gjetjen e përgjegjësve të incidentit fatal të së premtes si dhe të shtënat e fundit”, thotë shefja e zyrës për informim në EULEX, Karin Limdal. Qeveria e Republikës së Kosovës e ka dënuar ashpër sulmin dhe plagosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetarit të Këshillit Konsultativ për Komunitete, Petar Miletiç. “Ky është një sulm kriminal, i drejtuar kundër një përfaqësuesi legjitim të qytetarëve të Kosovës, kundër votës së lirë, kundër demokracisë, kundër progresit që po arrijmë bashkërisht dhe si të tillë e dënojmë fuqishëm”, thuhet në reagimin e ekzekutivit. Ndërsa akuzat e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, shkojnë për politikën e Beogradit. “Konsideroj se këto zhvillime po ndodhin në prag të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin politik të Kosovës dhe të gjitha këto ngjarje janë të iniciuara, të nxitura e ndoshta edhe të kryera, edhe pse këtë duhet ta vërtetojnë hetimet që do të bëhen, nga politika serbe e Beogradit”, tha Krasniqi. Kryeministri Hashim Thaçi pasi dënoi sulmin ndaj deputetit serb në Parlamentin e Kosovës, tha se zhvillime të tilla në Mitrovicë po ndodhin pas hapjes së Zyrës për Shërbime Civile të Qeverisë së Kosovës në atë pjesë, por u zotua se Qeveria nuk do të zmbrapset nga vendimi për ta shtrirë pushtetin në veri. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se Serbia si gjithmonë deri tani ka bërë përpjekje që të gjejë grimca të caktuara për të demonstruar se Kosova nuk mund të jetë një vend i qëndrueshëm, por sipas tij, do ta ketë të kotë. Ai dënoi ashpër sulmin me armë zjarri ndaj deputetit të Partisë së Pavarur Liberale dhe kryetarit të grupit parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Petar Miletiç, si një akt të shëmtuar kriminal, që drejtohet “kundër bashkëjetesës dhe të ardhmes së përbashkët të të gjithë qytetarëve të vendit”.

Reagimi i Serbisë

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, tha se sulmi i armatosur kundër deputetit të Kuvendin e Kosovës, Petar Miletiç, është i nxitur nga ekstremistët, që kanë qëllim të frikësojnë qytetarët dhe të pengojnë dialogun, me të cilin do të sigurohej paqe e vazhdueshme në Kosovë. Ai ka kërkuar që “pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, t’i zbardhin sa më shpejt sulmet kundër qytetarëve në Mitrovicën Veriore dhe kriminelët t’i dërgojnë para drejtësisë”. “I ftoj qytetarët që të mos provokohen dhe të mos përgjigjen ndaj dhunës, pasi dhuna u përgjigjet vetëm separatistëve shqiptarë”, tha Bogdanoviç.

Meta - “Plagosja e Miletiç, akt kriminal”
Ministria e Jashtme shqiptare e ka konsideruar akt kriminal plagosjen e deputetit serb në Kuvendin e Kosovës, Petar Miletiç. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, shprehu mbështetje të plotë për deklaratat e Qeverisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it dhe theksoi bindjen se e ardhmja e Mitrovicës do të jetë në paqe, stabilitet dhe në bashkëjetesë të komuniteteve. “Duhet të izolohen të gjithë elementët destruktivë që kërkojnë të dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe të gjithë rajonit tonë, që është më pranë NATO-s dhe BE-së”, theksoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›