E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqëria civile:SOS, monumentet në rrezik zhdukjeje



alma mile

Institucione të pazonja për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, një nivel i ulët kulturor dhe nevoja për një presion të vazhdueshëm kundrejt politikbërësve. Në këtë përfundim doli tryeza e rrumbullakët, e zhvilluar dje tek “Sarajet”, me temën “Trashëgimia kulturore në rrezik”, në mbyllje të së cilës u nënshkrua edhe një promemorie, drejtuar instancave më të larta shtetërore. Specialistë të fushës, arkitektë, restauratorë, inxhinierë, koleksionistë, avokatë, përfaqësues të mediave e analistë, u mblodhën dje rreth një tryeze për të tërhequr edhe një herë vëmendjen mbi gjendjen e trashëgimisë materiale kulturore, e cila sipas gjithë të pranishmëve gjendet në rrezik. I mungonin kësaj tryeze përfaqësues institucionesh, si nga Instituti i Monumenteve, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, etj, që sipas organizatorëve, nuk i janë përgjigjur ftesës së bërë me këtë rast. Sipas iniciatorit të kësaj tryeze, Artan Lame, monumentet për të cilat trumbetohej dhjetë vjet më parë, sot nuk ekzistojnë më, për shkak të një sërë arsyesh, që gjithsesi të gjitha dalin në një pikë, te puna e pamjaftueshme që është bërë deri më sot nga ana e institucioneve përgjegjëse. Sipas arkitektit Maks Velo, është e nevojshme që të flitet për raste konkrete, të përcaktuara në kohë dhe në hapësirë. Ai kujtoi rastin e djegies së Voskopojës, së shkatërrimit të afreskeve në vitin 1976, për të cilën pati edhe të dënuar me gjyq. E kështu edhe monumente të tjera, të cilat janë shkatërruar dhe është e nevojshme të gjenden shkaktarët. Sipas tij, nuk është vetëm faji i “të tjerëve” por “edhe faji ynë, që nuk kemi kontrolluar më mirë punën e bërë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. IMK është shmangur nga detyra e saj. Shumë janë marrë me politikë dhe shumë pak specialistë vazhduan të ishin të tillë dhe të vijonin punën me monumentet. Ka një dëshirë për të mos i thënë gjërat ashtu si janë realisht dhe për t’i deformuar për qëllime personale”, tha ai. Një ndër çështjet shqetësuese për arkitektin Velo është shmangia e IMK-së nga detyra për të vlerësuar arkitekturën e shek. XX, që ka çuar në shkatërrim e dhjetëra shtëpive e vilave, ndërsa kanë marrë statusin e monumenteve të kulturës ndërtesa pa asnjë vlerë. “IMK nuk ka ndërhyrë në parandalimin e dëmtimit të veprave të realizimit socialist. Kujtojmë se çlirojmë veten tonë nga ajo trashëgimi, duke i shkatërruar. Kështu ka ndodhur duke lyer me gëlqere mozaikët në Elbasan, duke hequr mozaikët me fëmijë në ish-Pallatin e Pionierëve në Tiranë, ndërsa u bënë përpjekje për të hequr mozaikun në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar. IMK është e pazonja, ndërsa mungojnë specialistët e kritikët”.
Për analistin Fatos Lubonja çështja është më e gjerë se IMK, duke i përfshirë të gjithë dhe nëse do të analizohet gjithë çka ka ndodhur në 20 vitet e fundit është nevoja për t’i bërë “gjyqin vetes”. Ai iu referua një libri që po shfleton së fundi me nëntitullin “Si të kalojmë nga shoqëria e mirëpasjes tek ajo e mirëqenies”. “Nuk është vetëm çështja e kulturës së pakët të shqiptarëve, por dhe e institucioneve që kanë në dorë politikbërjen dhe që iu nënshtruan kulturës së mirëpasjes, duke u kthyer në instrumente të pastrimit të parave”.
Arkitekti Artan Shkreli, ndërsa nguli këmbë në krijimin e një kulture të mbrojtjes së monumenteve, që në nivelet më të ulëta shkollore, deri tek universitetet, u shpreh se është përgjegjësia dhe e pushtetit vendor të ruajë trashëgiminë e shek. XX dhe vlerave bashkëkohore, të cilat i shpëtojnë vëmendjes së IMK-së dhe institucioneve të tjera. Sipas tij, çdo qytet duhet të dijë se cilat janë monumentet e veta, pavarësisht nëse ato janë të shpallura, ose jo. Në të njëjtat probleme rrahën diskutimet e shumicës së pjesëmarrësve, të cilët ishin të gjithë të mendimit, që çështja e monumenteve, ka nevojë për një presion të vazhdueshëm, me qëllim që të merren të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e atyre objekteve, që i kanë shpëtuar shkatërrimit të deritanishëm. Kjo ishte edhe përmbajtja e promemories drejtuar institucioneve.

Bushati: Arkivat, mangësi informacioni për monumentet
Ndërsa shoqëria shqiptare “akuzohet” për nivelin e mangët kulturor dhe dashurinë e pakët për trashëgiminë e vet, në sistemin shkollor, qoftë ky publik, apo privat, nuk ka lëndë apo tema të veçanta mbi trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë e saj. Arkitektja Vera Bushati, pedagoge pranë Universitetit “Polis”, u shpreh se puna duhet të fillojë qysh në bankat e shkollës, për të edukuar brezin e ri me ndjenjën e respektit dhe ruajtjes së pasurisë kulturore. Duke sjellë shembuj konkretë nga puna që po bëhet në këtë drejtim në universitetin, ku ajo jep mësim, ngriti problemin e mungesës së informacionit të duhur mbi monumentet e shek. XX. Sipas saj, arkivat e IMK-së nuk disponojnë fotografi dhe dokumentacione për shumë objekte të kësaj periudhe. Ndërkohë që në arkiva të tjera, studentët nuk kanë akses të hyjnë dhe të mësojnë më shumë mbi monumentet.

Bejko: Reforma jo transparente
Kohëve të fundit është folur për një reformë të thellë, që do të ndodhë në fushën e trashëgimisë kulturore. Nuk do të ketë më Institut Monumentesh, por një Qendër Kombëtare të Trashëgimisë, e cila do të mbledhë rreth vetes një sërë institucionesh të linjës. Për ish-drejtorin e IMK-së, Lorenc Bejko, mënyra se si po realizohet kjo reformë, e cila tanimë ka shkuar për diskutim në Kuvend, është e paligjshme, pasi nuk ka marrë parasysh asnjë nga kontestimet e specialistëve. Sipas tij, ky proces nuk është transparent dhe një nga detyrat e tryezës së mbledhur është edhe të “kërkojë llogari” mbi gjithçka që po ndodh. Bejko është shprehur edhe më parë se Qendra Kombëtare do të centralizonte në një dorë të vetme gjithë.

“Më shumë ciceronë pranë monumenteve”
Rritet numri i ciceronëve në institucionet e trashëgimisë kulturore. Drejtoria e Buxhetit në MTKRS ka planifikuar pagesën e ciceronëve shtesë për qytetin e Durrësit, Shkodrës, Beratit, Apollonisë, Krujës dhe Gjirokastrës. Ky vendim u bë i njohur dje gjatë një takimi që Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj zhvilloi me të gjitha strukturat e linjës në rrethe për Trashëgiminë Kulturore dhe Turizmin. Ministri u shpreh se nuk do të lejojë asnjë neglizhim nga ana profesionale, si dhe kërkoi orare të zgjatura për këtë periudhë, ku ka fluks turistësh pasi sipas tij “imazhi turistik është dhe do të jetë një nga angazhimet më të mëdha të politikave turistike”. Ndër të tjera, ministri Xhaferaj theksoi se neglizhimi i punës do të ketë pasoja, deri në largimin nga puna të punonjësve, që nuk angazhohen siç u kërkohet. Sipas njoftimit për shtyp të këtij institucioni, “MTKRS do të tregojë që u shërben turistëve dhe ka mundësi t’u shërbejë sa më mirë. Ministri tregoi gatishmëri për të gjitha kërkesat nga drejtoritë rajonale dhe kërkoi gjithashtu edhe njëherë angazhim të plotë prej tyre”. Të preferuarit për punësim, si ciceronë, do të jenë ata që kanë punuar dhe më parë pranë institucioneve të trashëgimisë kulturore, po me këtë detyrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›