Mrekulli, fëmija bie nga kati i 6-të, shpëton
Në kryeqytetin kroat ka ndodhur ajo që mund të quhet mrekulli. Një fëmijë vetëm katër vjeç ra nga dritarja e katit të gjashtë të një ndërtese, por shpëtoi pasi “u prit” nga një shkurre dekorative. Sipas gazetës kroate “Jutarnji List”, e cila citon babanë e fëmijës, “Ngjarja ndodhi në pak sekonda, ndërsa bashkëshortja ndodhej në tualet. Fëmija duke ecur këmbadoras u afrua tek dritarja, u përkul dhe ra”. Prindërit e tmerruar menduan të keqen e fundit, por fëmija kishte rënë mbi një shkurre dekorative në hyrje të pallatit ku ata jetonin, duke pësuar vetëm një frakturë në këmbë. Një fqinj që kishte parë ngjarjen kishte lajmëruar menjëherë ambulancën dhe fëmija, sipas gazetës, është mirë pasi u trajtua në spitalin e Zagrebit.