E Diel, 1 Nëntor 2026

“Idromeno fotograf” në Shkodër



I njohur më së shumti si piktor e si arkitekt, Kolë Idromeno, i prezantohet artëdashësve shkodranë edhe si fotograf. Ka qenë Galeria e Arteve në Shkodër që ka marrë përsipër nxjerrjen në dritë të veprave fotografike të Idromenos, e mbështetur nga Qendra e Studimeve Albanologjike, në arkivën e së cilës ruhet pjesa më e madhe e trashëgimisë fotografike e Idromenos. “Mungesat në publikimin dhe ekspozimin e krijimtarisë së Kolë Idromenos në këtë fushe, kanë lënë në hije këtë pjesë shumë të rëndësishme të prodhimtarisë së tij. Organizimi i një ekspozite, me një grup fotosh të realizuara nga ky artist në Galerinë e Arteve të qytetit të tij të lindjes u mendua si mënyra më e mirë për të hedhur një hap pozitiv, qoftë dhe simbolik nga përmasat, në rikuperim të këtij boshllëku të krijuar ndër vite”, pohoi piktori Artan Draçini, Drejtori i Galerisë së Arteve në Shkodër.
Ekspozita “Idromeno fotograf” është hapur paraditen e së hënës në ambientet e Galerisë së Arteve, ku ishin të pranishëm prof. Ardian Marashi, drejtori Qendrës së Studimeve Albanologjike, drejtues nga Bashkia e Shkodrës, specialistë të Qendrës së Studimeve Albanologjike, si dhe shumë intelektualë shkodranë. Aktiviteti organizohet me rastin e 150- vjetorit të lindjes së njërit prej artisteve me të shquar në historinë e artit të Rilindjes shqiptare, Kolë Idromenos. Ai kontribuoi në themelimin e pikturës së re shqiptare, duke qenë njëkohësisht pjesë e asaj plejade ideologësh, politikanësh, poetësh e artistësh, që u angazhuan në ngjizjen e vetëdijës sonë kombëtare. Bashkë me fotot, të cilat na sjellin një panoramë të jetës qytetare shkodrane e asaj shqiptare në përgjithësi, portrete, veshje karakteristike, etj., në Galerinë e Arteve në Shkodër ishin ekspozuar dhe piktura të Idromenos. Ekspozimi njëkohësisht edhe i disa veprave në pikturë të artistit të madh, pjesë e koleksionit të Galerisë së Arteve, Shkodër, vjen natyrshëm, nxitur nga vetë marrëdhëniet e ngushta që piktura dhe fotografia zunë në krijimtarinë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›