E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Madhe, Kopshti Botanik ndahet në mes

SHKRUAN: Jonida Tashi 11-03-2011 11:08

Kryeqytetasve, por jo vetëm, rrezikon t’u humbasë i vetmi vend që u ka shërbyer për të vizituar, që është Kopshti Botanik i Tiranës. Plot 40 vjet pas krijimit të këtij kopshti, që është shndërruar në një vend turistik për qindra-mijëra shqiptarë, por edhe të huaj, fati i tij gjendet në udhëkryq. Ky kopësht, i vetmi në të gjithë vendin, duket se do të ketë fatin e Muzeut të Shkencave të Natyrës. Pas pushtimit të hapësirave nga ndërtimet e shumta, me leje të dhëna nga Komuna e Farkës, tashmë është ndërtimi i Unazës së Madhe, që parashikohet të marrë një të katërtën e kësaj hapësire, që do të japë edhe verdiktin përfundimtar për shkatërrimin e tij. Drejtues të Kopshtit Botanik shprehen të shqetësuar për këtë fakt, pasi kanë mësuar se për shkak të punimeve që do të kryhen për Unazën e Madhe do të merren nga hapësira e tij rreth 2.5 hektarë, ndryshe nga sa ishte parashikuar në projektin e financuar nga BERZH, ku prekej vetëm rrethimi i Kopshtit Botanik. “Ajo që dinim ishte, unaza e prekte shumë pak Kopshtin Botanik dhe këtë e kemi parë në faqen zyrtare të BERZH. Ndërkohë, nga ajo që mësuam, dje, del se dëmi i kopshtit është shumë i madh, 2.5 hektarë na e merr unaza”, - ka deklaruar Petrit Hoda, përgjegjës i Kopshtit Botanik. Në fakt, BERZH, që ka bërë edhe vlerësimin e ndikimit në mjedis e cilëson Kopshtin Botanik si zonë me prioritet të lartë që nuk duhej cenuar. Por, pas projektit të dytë, përpiluar nga Drejtoria e Rrugëve, mësohet se BERZH është tërhequr. Ndërkohë, përtej funksionit turistik, punonjësit e Kopshtit Botanik shprehen të shqetësuar kur dëgjojnë se ai shërben vetëm për shëtitje, pasi funksionet e tij janë studimore dhe shkencore për florën shqiptare. “Funksioni i parë dhe më i rëndësishmi është ai shkencor. Ne kemi për detyrë parësore grumbullimin e florës, sjelljen e saj këtu dhe studimin e biologjisë së tyre. Së dyti, kopshti shërben dhe për qëllime mësimore dhe së treti, ai është një ambjent ç’lodhës”, - ka nënvizuar Hoda. Kopshti Botanik është në varësi të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Ministrisë së Arsimit, por në lidhje me këtë zaptim të sipërfaqes së këtij laboratori në natyrë nuk janë pyetur as dekanati dhe as Ministria e Arsimit nuk ka informacion. Dy ditë më parë punonjës të një firme ndërtimi kanë mbërritur në këtë zonë për të nisur punimet për Unazën e Madhe, punime të cilat nuk nisin as në fillim dhe as në fund të segmentit të përcaktuar, por në mesin e saj dhe pikërisht në një hapësirë që mundëson infrastrukturë për xhunglën e ndërtimeve të reja të komunës. Kopshti Botanik është institucion mësimor dhe edukues, pasi ai shërben si një laborator “natyror” për nxënësit dhe studentët e shkollave dhe universiteteve të ndryshëm të vendit. Ndërkohë, Kopshti është dhe një qendër çlodhëse dhe informuese edhe për qytetarët e thjeshtë, veçanërisht në lidhje me problemet e florës e bimësisë shqiptare e natyrës në përgjithësi, sidomos të problemeve që kanë të bëjnë me evidentimin e vlerave dhe ruajtjen e saj.

1971 është viti i themelimit të Kopshtit Botanik të Tiranës, që zë një sipërfaqe prej rreth 15 ha. Ai publikon vazhdimisht treguesin e farave dhe ka marrëdhënie me rreth 160 kopshte botanike të botës.

1400 lloje dhe nënlloje bimore, kryesisht të vendit tonë rriten në Kopshtin Botanik, që konsiderohet si Njësi Shërbimi Universitar, në varësi të drejtpërdrejtë nga Dekanati i Fakultetit të Shkencave Natyrore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›