E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e emigrantëve, Pagesat nga vendet ku jetojnë

SHKRUAN: Jonida Tashi 11-03-2011 11:10

Emigrantët shqiptarë në Itali mund të verifikojnë periudhat kontributeve, ose të paguajnë për plotësimin e viteve të punës për efekt pensioni në Shqipëri, në vendet ku ata jetojnë. Ky hap është bërë i mundur falë marrëveshjes më të fundit të ISSH-së me Bankën ‘Intesa San Paolo’, me marrëveshjen mes ISSH-së dhe Ministrisë së Jashtme, si dhe informacionit të shpërndarë falas, për të gjithë emigrantët që jetojnë në Itali, përmes mbi 800 zyrave të INAS-it, patronatit më të madh italian, që asiston në dhënien e informacionit dhe plotësimit e dokumenteve për emigrantët. Pikërisht, zgjerimi i bashkëpunimit me INAS ka qenë në qendër të takimit më 3 dhe 4 mars në Romë, mes drejtuesve të ISSH-së dhe drejtuesve të INAS-it. Presidenti i INAS, Antonio Sorgin ka deklaruar vendimin e patronatit INAS-CISL për të hapur një zyrë në Tiranë, ku pritet një shkëmbim edhe më konkret të dhënash dhe verifikimesh, që do t’u duhet shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali, lidhur me mundësinë e përfitimit të pensionit edhe në Shqipëri. Ndërsa sociologu Rando Devole, që është edhe koordinator mes patronateve në Itali dhe negociator i marrëveshjes INAS-ISSH, tha se, si një dëshmitar i të gjitha ndryshimeve që kanë ndodhur në 20 vitet e fundit mes shqiptarëve që jetojnë në Itali, e sheh këtë bashkëpunim si një mënyrë shumë efikase, që emigrantët të ndjejnë nga pranë kujdesin nga shteti i tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›