E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klandestinët, lirohen 4 nga 15 të arrestuarit e operacionit “Triumf”



Lirohen katër nga 15 të arrestuarit disa ditë më parë në kuadër të operacionit “Triumf”, ndërsa për të tjerët togat e zeza lanë në fuqi masat e kërkuara apo të caktuara në mungesë nga prokurori. 15 të arrestuarit janë shoqëruar një e nga një në sallën e gjyqit, me qëllim për t’iu vleftësuar masa e sigurisë caktuar ditë më parë në mungesë. Seanca e masave zgjati 7 orë, duke u finalizuar me shpalljen e vendimit nga gjyqtari Artan Broci. Për dy nga të pandehurit, Ferdinand Caci e Ramiz Shahini, ishte kërkuar nga prokurori masa “detyrim paraqitjeje”, ndërsa për dy të ndaluarit e tjerë, Fatmir Taku e Gurali Bardhi, prokurori vendosi ndryshimin e masës, për të parin se u provua gjatë ballafaqimit me njërin nga të arrestuarit, Dashamir Halilaj, se nuk kishin njohje, ndërsa për të dytin se ishte invalid dhe ofroi garanci pasurore 5 mijë euro. Ndërsa për 11 të akuzuarit e tjerë, Alfred Cikani, Astrit Hasa, Luan Klosi, Korab Lama, Myftar Prengnezaj, Ilir Balliu, Dashamir Halilaj, Ardian Berisha, Fatmir Vuka, Thanas Todri e Përparim Lama është caktuar masa “arrest me burg”, ashtu sikundër ka kërkuar edhe organi i akuzës i përfaqësuar nga prokurori Blerim Tominaj. Gjatë seancës së djeshme, prokurori Tominaj dhe gjyqtari Broci përballi çdo të ndaluar me provat që dispononte, si përgjimet telefonike, përgjimet ambientale, fotografimet në vende të ndryshme që provonin akuzën, si dhe filmime të ndryshme që kanë të bëjnë me akuzuat. Mbi të akuzuarit rëndojnë akuza të ndryshme, si “falsifikim dokumentesh” e “dhënie ndihme në kalimin e paligjshëm të kufirit”. Sipas akuzës, linjat e kalimit klandestin në mënyrë të paligjshme kanë qenë nga Erseka për në Greqi, nga Përmeti për në Greqi dhe nga Pogradeci për në Maqedoni dhe për të përfunduar me destinacion Greqinë. Provat e akuzës janë përgjimet telefonike, fotografime dhe filmime të bëra gjatë 9 muajve hetime me metoda speciale. Avokatët dhe klientët e tyre janë munduar të rrëzojnë pretendimet e prokurorit, ndërkohë që në ndonjë rast është bërë edhe ballafaqimi në sallën e gjyqit, çka ka lehtësuar pozicionin e të pandehurit. Referuar Kodit Penal, të akuzuarit rrezikojnë 3-4 vjet burg dhe 5-10 vite burg kur kanë dy akuza, si dhe 5-8 milionë lekë gjobë.

Të pandehurit me masë “detyrim paraqitjeje”

Ferdinand Caci

Ramiz Shahini

Gurali Bardhi

Fatmir Taka

Të pandehurit me masë “arrest me burg”

Alfred Cikani

Astrit Hasa

Luan Klosi

Korab Lama

Myftar Prengnezaj

Ilir Balliu

Dashamir Halilaj

Ardian Berisha

Fatmir Vuka

Thanas Todri

Përparim Lama

Sa rrezikojnë

3-4 vite burg për një akuzë

5-10 vite burg për dy akuza

5-8 milionë lekë gjobë

Gjykatë

Vendimi, 23 vjet burg për Fotaq Zaharinë

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është shpallur dje fajtor dhe u dënua me 23 vjet burg i pandehuri Fotaq Zaharia, i akuzuar për disa vepra penale. I njohur për bëmat e tij në qytetin bregdetar të Vlorës, si dhe tentativat e shumta për t’i shpëtuar rrethimit të policisë, tre vjet më parë u arrit në arrestimin e Zaharisë, i plagosur në këmbë, pasi tentoi t’i shpëtonte sërish rrethimit. I shpallur një ndër 10 më të kërkuarit, mbi Zaharinë rëndojnë akuzat për disa ngjarje, si ajo e 24 tetorit të vitit 1999, për rrëmbimin në bashkëpunim me të tjerë të 6-vjeçarit Denis Xhelo. Në shkëmbim të lirimit të pengut, Zaharia dhe të tjerët kanë kërkuar 18 milionë lekë. Pas kapjes së personave që rrëmbyen fëmijën, si dhe lirimin e fëmijës nga një aksion i suksesshëm i policisë, Fotaq Zaharia, së bashku me personat e tjerë u lanë për ndjekje penale dhe si përfundim Zaharia dënohet nga gjykata me 25 vjet burg. Më 17 qershor të vitit 2001, Zaharia ka mundur të largohet nga qelitë e burgut të Vlorës së bashku me tre persona të tjerë, duke hapur murin e dhomave të paraburgimit të Vlorës, nga ku u arratis. Më 29 qershor të vitit 2005, në një përplasje me Policinë Kriminale në fshatin Trevllazër ka plagosur me granatë ofensive shefin e Policisë Kriminale të Vlorës në atë kohë, Gentian Musabelliun. Më pas, ai ka mundur të largohet. Zaharia mundi t’i shpëtojë disa herë policisë për të rënë në duart e saj tre vjet më parë.

Apeli

Banda “Rexhina”, 28.4 vjet burg për vjedhjet e makinave

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda la në fuqi vendimin e dhënë nga kolegët e Shkallës së Parë për tre të pandehurit e bandës “Rexhina”, të akuzuar për vjedhje makinash, duke i dënuar me 28.4 vjet burg. Të pandehurit janë gjykuar në shkallën e parë me gjykim të shkurtuar, duke përfituar në këtë mënyrë uljen e 1/3 së dënimit. Akuza që rëndon mbi ta është “vjedhje në bashkëpunim disa herë”. Mes personave për të cilët është dhënë dje vendimi është edhe i penduari i bandës, Erlind Taullaj, ai që hodhi dritë mbi skemën e përdorur nga grupi për vjedhjen e automjeteve. Togat e zeza dënuan dje me nga 12 vjet burg secilin prej të pandehurve, Edmond e Gentian Neza, si dhe 2 vjet e 4 muaj për të pandehurin Dritan Hamiti. I vetmi që nuk e ka apeluar vendimin ka qenë Erlind Taullaj, i cili u dënua në Shkallën e Parë me 4 vjet burg. Ndërkohë që për dy të pandehurit e tjerë, Bujar Sefa dhe Bledar Hasanin është veçuar çështja dhe do të gjykohet nga një tjetër trup gjykues, pasi kanë kërkuar të gjykohen me procedim të zakonshëm. Sipas akuzës, 7 janë episodet që mbërthejnë gjashtë të pandehurit, ndërkohë që shtatë janë edhe dëshmitarët që treguan mënyrën se si u kërcënuan nën armë për të dhënë gjithçka kishin me vete. Midis të grabiturve janë këngëtarja Ermiona Lekbello dhe kreu i Dhomës Kombëtarë të Tregtisë, Gjok Uldedaj. Ndërkohë që ashtu siç edhe përmendëm, Erlind Taullaj është i penduari i procesit "Rexhina", për të cilin u kërkua dënimi me 4 vjet burg. Ky i fundit ka dhënë shpjegime të imtësishme për të gjithë aktivitetin kriminal të kryer nga ana e të pandehurve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, për një periudhë 2-vjeçare. Në datën 4 korrik të vitit 2007, Erlind Taullaj ka lidhur një akt marrëveshjeje me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku trajtohet si bashkëpunëtor i drejtësisë. Ky i fundit pritet të ketë edhe përfitime për bashkëpunim me drejtësinë, ndërkohë që në një episod është kërcënuar nga pjesëtarët e grupit për shitjen e makinave me çmime fikse.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›