E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Madhe, edhe 40 ndërtime për t’u shembur

Aksioni nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK), ka vijuar përgjatë zonës së Saukut të vjetër.

Ky është aksioni i dytë që synon prishjen e 40 ndërtimeve, ku ka ndërtesa pa leje, me dokumente të rregullta ose në proces legalizimi.

Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik,  Adem Dollapi, i njoftoi pronarët se në zbatim të ligjit, të gjithë banorët qe kanë pronat në proces legalizimi, apo të hipotekuara, do të marrin kompensimin që i takon. Shembja e ndërtimeve në Sauk pason fazën e parë të këtij aksioni që nisi në 10 gusht me shembjen e 29 ndërtesave në zonën pranë Liqenit Artificial, hapësirë kjo që përbën lotin e parë të Unazës së Madhe. Sipas projektit të bashkisë, Unaza e madhe e Tiranës do të kalojë në dy segmente kryesore. Segmenti i parë do të ketë trajektoren “Babrru–Bregu i Lumit – Kthesa e Kazmës”.

Ky segment do të ketë një shtrirje prej 6.5 kilometrash, me 8 korsi, ku do të përfshihet edhe një korsi e veçantë për mjetet e transportit publik dhe të emergjencës. Ndërsa segmenti i dytë i Unazës, ndërtimi i të cilës ka filluar në mars të këtij viti, ka një gjatësi prej 5,228 kilometra dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit. /Start/

                                                                                             2011-08-23 16:28
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›