E Diel, 1 Nëntor 2026

Unaza e madhe, banorët te Liqeni Artificial konfrontohen me policine

TIRANE- Banorë, dhe pronarë të ligjshëm të tokave në zonën perëndimore të Liqenit Artificial janë konfrontuar sot paradite me policinë e cila kishte shkuar në atë zonë në ndihmë të firmës që po punon për hapjen e rrugës ku do kalojë Unaza e Madhe e Tiranës.

Pronarët e ligjshëm kërkojnë pezullimin e punimeve dhe hyrjen në negociata me autorietet për dëmshpërblimin për tokën ku do kalojë Unaza e Madhe. Ata thonë se nuk janë kundër ndërtimit të kësaj rruge por shtojnë se nuk kanë informacion se ku do të kalojë kjo unazë, dhe sa do të jetë sipërfaqja e tokës që do u preket, si dhe kërkojnë kompensim.

Rreth orës 10:00 pikërisht në këtë zonë policia kishte ngritur një kordon dhe nuk lejonte banorët, pronarët e ligjshëm të tokave në atë zonë që ti afroheshin punimeve pranë digës te Liqeni Artificial.

Banorët kanë debatuar me policinë për gati 30 minuta duke pretenduar se nuk ishin paralajmëruar për fillimin e punimeve dhe kërkojnë pezullimin e punimeve.

“Jemi të indinjuar. Ne sna kanë ardhur njeri të na thonë për kompensimin. Këtu ka pronarë të cilët i kanë tokat me tapi dhe hipotekë, por askush nuk i përfill dhe dokumentet e pronës po i hedhin në kosh të plehrave. Po na preket prona jonë padrejtësisht.”- ankohen banorët duke i kujtuar kryeministrit premtimin që ai ka bërë në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 2009 se do "ishte garant i avokatit të pronave të Saukut". Ata kërkojnë ndërpritjen e punimeve dhe të informohen dëmshpërblimit.

Ndërtimi i Unazës së madhe në Tiranë prek dhe një pjesë të Kopshtit Botanik, për të cilën shumë qytetarë kundërshtojnë prishjen e tij.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›