Vrau bashkatdhetarin në ‘91 dënohet me 18 vjet burg
Fier- Zbulohet dhe dënohet autori i një vrasjeje të ndodhur pra 20 vitesh. Ngjarja e rëndë, e regjistruar në shtetin fqinj Greqi, ku u gjet i vdekur Ëngjëllush Agallija nga fshati Kraps, komuna Portëz, rrethi Fier, ka tashmë autor, sipas drejtësisë shqiptare. Gjykata Fier ka dënuar Frederik Kolicin, nga fshati Fermë Çlirim i rrethit Fier, duke e cilësuar atë autor të kësaj vrasjeje. Në seancën e fundit të këtij procesi gjyqësor, prokurori i çështjes Çlirim Sina, pas kërkesës së bërë nga organi i akuzës, për një dënim me 20 vjet burg për veprën penale të vrasjes me dashje, ka vendosur masën e dënimit prej 18 vjetësh ndaj këtij shtetasi.
Procesi
Në fakt procesi penal për këtë çështje ka nisur në shtetin helen në vitin 1991, pas ngjarjes dhe ka qenë i pezulluar deri në vitin 2009. Ishte prokuroria e Fierit që rihapi çështjen, pas dokumentimit të provave të reja dhe të pakundërshtueshme sipas saj, të plotësuar këto edhe nga ndihma e organit hetimor dhe të akuzës në zonën e Patras. Ngjarja për të cilën u akuzua dhe më pas u dënua nga gjykata, Frederik Kolici, ka ndodhur në zonën Leqenas të Patras, në datën 14.7.1991. Sipas dokumentimit ligjor, të dy shtetasit ishin shqiptarë. Si viktima, ashtu edhe autori, kanë qenë emigrantë në këtë vend dhe qëndronin bashkarisht në një dhomë, në zonën e sipërpërmendur. Viktima Agallija është gjendur i vdekur, pas tri ditësh të konstatimit të humbjes së tij. Policia greke plotësoi dosjen përkatëse pas kërkimeve dhe ekzaminimeve në vendngjarje, duke dokumentuar prova dhe fakte për këtë çështje. Procesi penal nisi në Patra. Por pas disa kohësh, ai u pezullua përballë faktit të mungesës së të akuzuarit Kolici në sallën e gjyqit. Ky shtetas vijonte jetën normale në Shqipëri gjatë gjithë këtyre viteve.
Rihapja e dosjes
Ishte prokuroria Fier, që kërkoi në mars të vitit 2009, në kuadrin e rihapjes së shumë dosjeve të ngelura pezull për çështje penale të rëndësishme, kryesisht krime të rënda vrasje, të mbetura deri në ato vite pa autor, rihapjen edhe të kësaj çështjeje. Falë bashkëpunimit me palën greke të akuzës, dhe ardhjes së materialeve të reja hetimore, përfshi edhe prova të forta që vërtetonin akuzën e vrasjes të kryer prej këtij shtetasi, prokurori i kësaj çështjeje, Çlirim Sina urdhëroi arrestimin e shtetasit Kolici, në muajin mars të vitit 2010. Me këtë arrestim u rihap rruga e procesit gjyqësor dhe përballjes me faktet e të akuzuarit.
Ditën e djeshme, trupi gjykues i përbërë nga Roland Jaupaj, kryesor, dhe Adelina Zarka e Nafije Curri anëtar, pasi dëgjoi fjalët e palës së akuzës, që kërkoi 20 vjet burg, duke argumentuar në fjalën e saj faktet dhe provat për autorësinë e kësaj ngjarjeje, si dhe palës mbrojtëse, avokate Arta Zeqaj, vendosi të dënojë Kolicin me 18 vjet heqje lirie, bazuar në 76 dhe 50 germa, a dhe c të Kodit Penal. Ai u dërgua në kampin e riedukimit në Rrogozhinë, për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia.