E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret rojen e shkollës me Kaçavidë, 17-vjeçari në kërkim

ELBASAN- Vret rojën e shkollës me kaçavidë 17-vjeçari me precedentë penalë. Ngjarja makabre ndodhi dje paradite në shkollën e mesme të fshatit Mollas. Policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim Eljaso Çelën, me banim në këtë fshat, pasi akuzohet se vrau me kaçavidë Adriatik Gjinin 49 vjeç, i cili sapo ishte punësuar si roje në shkolle. Dje adoleshenti problematik sapo kishte përfunduar masën e sigurisë së arrestit në shtëpi për veprën penale të vjedhjes, pasi ishte kapur nga policia si autor i vjedhjes së disa motoçikletave.

Vrasja

Rreth orës 10.00 ai ka shkuar në shkollën e mesme të fshatit dhe ka kërkuar të futet me forcë brenda saj. Por aty ka hasur rezistencën e rojes, i cili nuk e ka lejuar. Mes 17-vjeçarit dhe viktimës ka nisur konflikt me fjalë, i cili ka degjeneruar më pas me grushta e shkelma nga ana e të riut, i cili synonte të hynte me dhunë në shkollë. Pas rezistencës së rojes, ai ka nxjerrë nga xhepi një kaçavidë dhe ia ka ngulur disa herë në trup, duke i shkaktuar plagë të rënda shpuese në kraharor, bark, fytyrë e qafë. Goditjet kanë qenë fatale për Adriatik Gjinin, i cili është shtrirë për tokë. Menjëherë pas kësaj, adoleshenti është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. E gjithë skena ka shokuar nxënës e mësues, të cilët kanë përpjekur t’i japin ndihmën e parë rojës që ka ndërruar jetë brenda pak minutash, duke mos patur asnjë mundësi për të mbijetuar. Për të evituar tronditjen psikologjike të nxënësve, drejtoria ka vendosur që ata të largohen nga shkolla e ndërkohë është lajmëruar policia, e cila ka shkuar shpejt në vendin e ngjarjes. Familjarët kanë marrë kufomën e të afërmit dhe nuk kanë lejuar që ajo t’i nënshtrohet ekspertizës. Mjaft të irrituar, ata kanë kërkuar që të kapet me çdo kusht autori.

Kërkimi

Policia ka rrethuar zonën përreth, ndërkohë që ka njoftuar edhe komisariatet e rretheve fqinjë duke shpërndarë fotografinë e tij. Deri në orët e vona të pasdites dyshohej se ai fshihej diku në periferi të fshatit, por më pas u dyshua se mund të ketë kaluar kufirin drejt shtetit fqinj, Greqisë. Ndaj për këtë qëllim janë njoftuar edhe pikat kufitare. Familja e 17-vjeçarit ka tentuar të negociojë me djalin, por ai ka humbur çdo kontakt me ata. Sipas të dhënave të ekspertëve dhe grupit hetimor, shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë grindja banale mes autorit dhe viktimës dhe se vdekja është shkaktuar nga plagët e thella të shkaktuara nga mjeti tip kaçavidë, veçanërisht goditja në pjesën e kokës dhe qafës. Ndaj Elljaso Çelës është ngritur akuza e vrasjes në rrethana cilësuese.

Kjo vrasje e çon në 6 numrin e viktimave të ndodhura brenda një javë në Elbasan. Pak ditë më parë dy vëllezër ekzekutuan nënën dhe motrën me pushkë brenda në banesë, pasi dyshonin në moralin e tyre, ndërsa një killer profesionist e ndoshta i paguar, ekzekutoi 3 pjesëtarë të familjes Mahmutaj dhe plagosi nusen e shtëpisë, ndërsa ata ishin në gjumë. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›