E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e madhe, nis shembja e godinave të para

11/08/2011  INUK nis prishjen e ndërtimeve në zonën e Liqenit

Unaza e madhe e Tiranës është një nga projektet më të hershme që është hartuar nga specialistët për zhvillimin urbanistik të kryeqytetit. Paraditen e djeshme Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik kombëtar nisi prishjen e ndërtimeve në zonën e Liqenit për të liruar sheshin për zbatimin e projektit të unazës së madhe të kryeqytetit. Faza e parë parashikon shembjen e 29 objekteve, një pjesë e të cilave janë pa leje, ndërsa një pjesë janë me dokumente të rregullta ose në proces legalizimi. Këto të fundit do të dëmshpërblehen në bazë të një vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili ka dalë tashmë. Zëvendëskryeinspektori i INUK-ut, Alban Isteri, u shpreh dje për mediet e pranishme në prishjen e ndërtimeve se po prishen objektet që janë në trasenë e rrugës. “Në këtë mënyrë i hapim rrugë projektit të ndërtimit të unazës së re”, - tha Isteri. Ai shtoi se janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore, si dhe janë njoftuar të gjithë pronarët e objekteve. Aksioni për shembjen e këtyre objekteve, që u shoqërua edhe nga forcat e policisë së rendit, nuk është shoqëruar me incidente dhe pritet të përfundojë brenda dy ditëve të ardhshme. Në ndërtimin e këtij projekti të Bashkisë së Tiranës janë dy kategori pronarësh që do të shpronësohen: pronarët e tokave bujqësore dhe ata që kanë ndërtuar objekte të ndryshme, si shtëpi banimi, lokale dhe biznese të ndryshme në vijën ku kalon projekti. Sipas specialistëve, shpronësimi dhe kompensimi për kategorinë e dytë kërkon një procedurë më të komplikuar. Edhe fondi që do të përdoret për kategorinë e dytë është më i madh se ai për pronarët e tokës bujqësore. Në disa raste janë dhe vila apo lokale, që duhet të prishen dhe më pas të dëmshpërblehen nga ana e shtetit. Sipas projektit, janë 262 pronarë që do të shpronësohen nga ndërtimi i unazës. Me ndërtimin e unazës së madhe mendohet të marrë fund trafiku në kryeqytet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›