E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unazat e triumfit

Ish ylli i Chelseat, Didier Drogba ka përgatitur dhuratë të veçantë për ish bashkëlojtarët e tij. Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë shpenzoi gati 1 milion euro në unaza përkujtimore të suksesit historik në Ligën e Kampionëve, edicionin e kaluar. Unazat përmbajnë fytyrat, emrat dhe numrat e fanellave të lojtarëve të skuadrës nga Stamford Bridge.

Heroi i Chelsea nga sezoni i kaluar, Didier Drogba, organizoi një mbrëmje në nder të shokëve të tij të ekipit londinez, për të kujtuar suksesin e parë historik në Ligën e Kampioneve në majin e këtij viti.

Futbollisti nga Bregu i Fildishtë, që tashmë aktivizohet në Kinë me Shangai Shenhua, kishte organizuar një ceremoni të veçantë të stilit amerikan, pasi u dhuroi të gjithë shokëve të skuadrës dhe pjesëtarëve të stafit, unazat përkujtimore të fitores së trofeut më të rëndësishëm për klube.

Këto unaza, në të cilat ishin punuar edhe fytyrat, emrat dhe numrat e fanellave të lojtarëve të skuadrës nga Stamford Bridge, mendohet se kanë kushtuar rreth gati 1 milion euro në total, që tregon se ky ishte një falënderim shumë i veçantë i Drogbas për londinezët, me të cilët përjetoi suksesin më të rëndësishëm të karrierës së tij si futbollist.

Sukses për të cilin më meritori ishte vet ai pasi Drogba fillimisht shënoi golin e barazimit 1-1 kundër Bayern Munichut e më pas realizoi penalltinë vendimtare. Rëndësia e sulmuesit dhe mungesa e tij ndjehet shumë te Chelsea, që u bë skuadra e parë kampione në fuqi e turneut që nuk arriti të kalojë fazën e grupeve, ndërsa largimi i lojtarit nuk solli as shpërthimin e shumëpritur të Fernando Torresit.

Spanjolli nuk ishte prezent në ndejë për shkak të ditëlindjes së birit. Një nga protagonistët e edicionit të kaluar, Juan Mata, ka pranuar se ekipi nuk është mësuar ende me idenë se nuk ka në radhët e vet lojtarin nga Bregu i Fildishtë.

“Largimi i Drogba ishte si një tronditje elektrike për ne. Ai ishte një luftëtar. Ne na është dashur të mësohemi pa të, pasi për shumë vite ai ka qenë pika e referimit te Chelsea. Atij i jepje topin dhe ishe i sigurt që minimumi do të fitonte faull. Torres nuk është i tillë”, tha spanjolli për bashkëkombësin e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›