E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unë jam gjeneratori i entuziazmit të shqiptarëve

“Ftoj qytetarët të ndjekin rezultatin me maturi, pa krijuar idera të triumfatorëve dhe humbësve”

Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të presin me maturi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, të përmbajtur dhe me pjekuri të plotë.

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pasi ishte mbyllur procesi i votimit në të gjithë vendin, kryeministri Berisha falënderoi të gjithë përfaqësuesit e forcave politike, të cilët menaxhuan, një proces zgjedhor dinjitoz. 

Kryeministri Berisha deklaroi se pjesëmarrja në këto zgjedhje përbën risinë më pozitive të tyre. 

“Nuk mund të them shifrën e saktë, por të paktën ajo është 15% më e lartë sesa në zgjedhjet e vitit 2005. Mund të jetë dhe më shumë, por po rezervohem të mos jap një shifër më të lartë. Kanë votuar fuqishëm Tirana, Durrësi, Shkodra Korça, Elbasani, pra në tërësi është treguar një entuziazëm elektoral. Ju kërkoj njerëzisht të mos merrni përqindjen se për secilin prej jush është e qartë që përqindja i referohet 3.1 milionë zgjedhësve dhe të paktën, 1.2 milionë nuk janë në Shqipëri. Ne do të japim përqindjen krahasuese, votimin e 2005 me të 2009-ës, pra zgjedhjet me pjesëmarrje jo të mirë- pavarësisht nga rezultati kush zgjidhet, në çdo proces zgjedhor, dikush fiton dikush humbet, – që në të vërtetë të duken si zgjedhje me ngërç. Zgjedhjet me pjesëmarrje të gjerë janë zgjedhjet ku sovrani flet fuqishëm në mënyrë vibrante optimiste, entuziaste me zërin e tij dhe kjo pra është meritë e çdo qytetari shqiptar që ka marrë pjesë në votime”, u shpreh kryeministri.

Berisha vlerësoi angazhim e forcave të policisë së shtetit, të cilat kanë pasur zero implikim të forcave të rendit në procesin elektoral. 

“Madje shumë prej tyre mund të kenë mbetur pa votuar për shkak të detyrës, sepse janë transferuar në rrethe të ndryshme. Kam besim të plotë se në traditën e tyre të shkëlqyer, edhe të vitit 2005, edhe të vitit 2007, ata kanë bërë transportin e përkryer të materialit”, tha Berisha.

Kreu i qeverisë theksoi se besimi më i madh është tek numërimi që do të jetë elektronik dhe mund të ndiqet. Sipas kreut të qeverisë, numërimet mund të ndiqen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe transparente.  

“Ndaj dhe shpreh bindjen time se detyrimet e mbetura do të përmbushen me shkallë të lartë përgjegjësie dhe dinjiteti. Do të theksoj se në këto zgjedhje nuk ka të humbur, janë zgjedhje vetëm me të fituar, sepse Shqipëria evropiane është Shqipëria e të gjithë qytetarëve shqiptarë, këtu s’ka vend për asnjë lloj komenti. Ndaj dhe unë do t’i ftoja të gjithë qytetarët që të ndjekin rezultatin me maturi, me qytetari, pa krijuar idera të triumfatorëve dhe humbësve”, u shpreh më tej Berisha. 

Z. Kryeministër bëtë një krahasim me zgjedhjet e vitit 2005 dhe thatë se pjesëmarrja, të paktën është 15% më e madhe krahasuar me 2005. A mund të na bëni një krahasim me 2005 dhe 2007 për sa i përket standardeve, duke pasur parasysh se institucionet ndërkombëtare dhe mediat e huaja kanë raportuar që këto zgjedhje janë një test për Shqipërinë Evropiane. A e keni kaluar testin?

Vlerësimin përfundimtar për zgjedhjet e kanë 500 vëzhgues të huaj dhe 5000 shqiptarë. Një gjë është specifikë e këtyre zgjedhjeve: janë zgjedhjet më të vëzhguara në tërë historinë e pluralizmit. Dhe sigurisht, vëzhguesit kanë qenë në çdo qendër, kanë ndjekur çdo etapë, vlerësimet e mia janë më të përgjithshme se të tyret, por çka mund të them unë, është se baza e re elektronike përbën risinë më madhore të këtyre zgjedhjeve. Ligji i ri konsensual dhe sistemi proporcional rajonal ka ul shumë tensionet, siç e patë, ka ndikuar fuqishëm në një klimë krejt tjetër.

IPR marketing sapo ka publikuar rezultatet e sondazhit ku Partia Demokratike fiton me 6 pikë kundrejt Partisë Socialiste. Edhe pse ju s’i besoni sondazheve, do  të kishit një koment?

Komenti im është ky: Unë besoj kur numërohen të gjitha votat dhe kur KQZ shpall rezultatet. Ky është qëndrimi im ndaj rezultatit, unë nuk mund të them, njëherë i besoj dhe njëherë s’i besoj, se po t’i besoj, do t’i besoj gjithmonë. Ju e dini qëndrimin tim ndaj poll-eve. Nuk them se janë gabim gjithnjë, por unë në këtë rast do të pres numërimin elektronik që do të bëhet me kamera. On-line është, është një grup i shoqërisë civile që ka marrë përsipër paralelisht me KQZ të llogarisë shumën.

Opozita përgjatë gjithë ditës ka shprehur kontestimet e saj në lidhje me procesin. A keni ndonjë koment në lidhje me ato që ajo ka shprehur?

Atë koment që pata, e bëra. Një gjë tjetër: Majlinda do të nxjerrë një vegël të çuditshme që ai e ka shpërndarë, pasi e ka importuar nga dyqanet e seksit në Tailandë.

Ju nuk doni t’i besoni rezultateve të sondazheve, por në të njëjtën kohë thoni që ka një përqindje 15% më shumë se në zgjedhjet e 2005-ës, në zgjedhjet e 2005 kanë marrë pjesë në votime 1.396 000 zgjedhës dhe këtë herë janë rreth 210 000 që marrin pjesë më shumë. Sipas opinionit tuaj kë favorizon kjo shifër prej 15%, sepse ju thoni na favorizon ne, PS thotë që favorizon ata?

Nga eksperienca ime e gjatë elektorale, të gjithë bashkëpunëtorëve të mi u kam thënë në mënyrë të përsëritur dy javët e fundit që në të gjitha përllogaritjet tona duhet të mbajnë parasysh se do kemi një pjesëmarrje shumë më të madhe se ajo që parashikojmë. Ua kam thënë gjithë kryetarëve të grupeve të qarqeve, e ndjeja këtë nga disa faktorë: Po të marrësh dy zgjedhjet e fundit elektorale, kemi pasur rreth 1 350 000 – 1 390 000 dhe bashkëpunëtorët e mi llogaritë i bënin me këto shifra. Unë u thashë atyre dy javët e fundit që nuk do të jenë këto shifra, e ndjeja, shihja një klimë krejt tjetër. 

Megjithëse atë do ta zbulojë rezultati, mendoj se gjenerator i entuziazmit jam unë me projektin tim, kështu besoj unë  të paktën.

Zërat kritike janë shprehur sot mbi qetësinë në PD, keni pasur vetëm paradite disa konferenca për media, ndërkohë që nuk ka ndodhur kështu në kampin  opozitar…?

Sigurisht, opozita është opozitë dhe duhet pranuar që mund të ndodhë të keqinterpretojë ndonjë gjë, por unë gjykoj se edhe qëndrimi i tyre ka qenë qëndrim joacarues. Ai ishte problemi i mediave se sapo doli çimka, mediat harruan zgjedhjet dhe u morën me çimkat, është punë e mediave, jo e jona.

Në fakt, jo e gjithë opozita ka qenë kaq kritike ndaj procesit zgjedhor, bien në sy deklaratat e kreut të LSI-së z Meta, që e ka cilësuar procesin më se normal. Si e vlerësoni ju këtë qëndrim?

Nga të dhënat tona duket se është një proces krejt normal, por unë nuk kam qenë vëzhgues në çdo qendër, unë i referohem informacioneve që vijnë nga fusha dhe nga media, të cilat për hir të së vërtetës, kanë pasur informacionet më të mira. Për ta përshëndetur, nuk e di në e meriton apo jo përshëndetjen, megjithatë e vlerësoj si qëndrim objektiv.

Thatë pak më parë se do të prisni me qetësi rezultatin deri në 2 të mëngjesit. A prisni ndonjë telefonatë nga z. Rama për çka do të ndodhë lidhur me rezultatin?

Në rast se më takon mua t’i telefonoj, unë do ta bëj, do ta telefonoj. E kam vendosur

Si e vlerësoni prononcimin e ndërkombëtarëve, të ambasadorit amerikan dhe të z. Bosch?

Ambasadori amerikan dhe ambasadori Bosch dhe të gjithë miqtë e Shqipërisë kanë pasur një interes absolut që Shqipëria dhe shqiptarët të dëshmojnë të gjithë maturitetin në këtë proces zgjedhor. Pastaj, një gjë do t’u them, zgjedhjet janë sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare. Nëse ka një proces universalisht të pranuar me gjykatës ndërkombëtar, janë zgjedhjet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›