E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, leku në “pikiatë” para valutës se huaj

Monedha vendase ka humbur vlerë edhe ndaj euros dhe ndaj dollarit amerikan. Një lëvizje e tillë ishte parashikuar nga Banka qendrore. Ndikoi edhe ardhja e emigrantëve per zgjedhje 

Një ditë pas përfundimit të votimeve parlamentare, leku ka pësuar “rënie të lirë” në tregun valutor, duke humbur terren ndaj të gjitha valutave dhe arit. Rënia më e madhe është shënuar në shkëmbimet ndaj paundit britanik dhe ndaj jenit japonez. Monedha vendase ka humbur vlerë edhe ndaj euros dhe ndaj dollarit amerikan, të cilët janë kuotuar përkatësisht dje, sipas vlerësimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 129.34 dhe 92.35 lekë të reja. Euro është rivlerësuar me 0.97 lekë dhe USD me 0.96 lekë.
Banka
Një lëvizje e tillë ishte parashikuar nga Banka qendrore. Në mbledhjen e tij të datës 24 qershor 2009, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, ndër të tjera, Këshilli u shpreh se “ndikimi i nënçmimit të kursit të këmbimit pritet të shfaqet më i plotë gjatë muajve në vijim, duke ekuilibruar presionet e reduktuara inflacioniste të kërkesës së brendshme”.
Ky parashikim lidhet me lëvizjen e vlerës së lekut në ulje gjatë gjithë periudhës së fundit disamujore. Por, një konstatim i tillë u duk i çuditshëm në një kohë kur, zakonisht, leku bëhet më i kërkuar në treg, si pasojë e ardhjes së emigrantëve në atdhe për pushimet verore. Gjëtë muajve të sezonit veror ata sjellin me vete valutë, që e thyejnë me monedhën vendase, duke rritur kërkesën për këtë të fundit, gjë që sjell rritjen e vlerës së lekut. Por, këtë herë nuk po ndodh kështu.
Arsyet
Banka qendrore ka vlerësuar drejt faktin se prurjet e emigrantëve, të cilët banojnë në vendet e prekura më keq nga kriza globale, kanë ardhur në rënie të vazhdueshme, duke i hequr ekonomisë shqiptare një ndihmë të konsiderueshme dhe familjeve vendase një mbështetje të pazëvendësueshme për shpenzimet e përditshme.
Përveç kësaj, këtë herë ajo çka mund të ketë ndikuar në rënien e vlerës së lekut duhet të ketë qenë edhe faktori zgjedhje. Tradicionalisht, gjatë periudhës së “ndeshjeve” elektorale, në treg qarkullojnë sasi të mëdha parash, të cilat, po të jenë lekë, sjellin dobësimin e pozitës së këtij të fundit në këmbimet me valutat e tjera.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›