E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ungjilli në shqip si përkthim i Kristoforidhit

19/08/2011  Meshat në kishën e Shën Mërisë

ELBASAN- Në kishën e Shën Mërisë në Kala meshohet në shqip dhe jo me një përkthim çfarëdo, por me tekstin ungjillor të përkthyer nga Kostandin Kristoforidhi. “Ungjilli i Hyjnuar dhe i Shenjtë” është prodhuar me Urdhrin e Sinodit të Shenjtë në shtypshkronjën “Gytemberg” në Tiranë në vitin 1930. Kjo vepër, që shënon në faqen e parë: “Përkthye prej Konstandin Kristoforidhit Elbasanasit”, mbahet me kujdes e ruajtur me fanatizëm nga familja Marku ndër vite për t’u sjellë në kishë në vitet e demokracisë.

Në fletën ku fillon Ungjilli mund të lexohet shqipja e Kristoforidhit në toskërishten e tij. “Ungjilli i Hyjnuar dhe i Shenjtë pas Joannit që fillon prei së djelë së shenjtë dhe së madhe të pashkës.” Atë Nikolla Marku, famullitar i kishës së Shën Mërisë, një nacionalist i flaktë, që mbron tezën e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, thotë se Kisha që ai drejton është e vetmja që meshon në shqip duke ndjekur gjurmët e Kostandin Kristoforidhit, Visarion Xhuvanit dhe Fan Nolit. Nën përkthimin me shqipen e babait të gjuhës shqipe çdo javë dhe sidomos çdo festë ky ungjill këndohet nga prifti, duke vazhduar të gjitha ritet në shqipen e një shekulli më parë. Një besimtare thotë se vjen në meshë për të dëgjuar fjalët e bukura shqipe të ungjillit në kishën e kalasë si e vetmja që e bën të mundur këtë dhe që lufton kaq shumë që kisha të jetë shqiptare, siç janë munduar të parët tanë dhe me kënaqësi shton se kisha e Shën Mërisë është më e bukura dhe me një histori të mrekullueshme në të gjithë Elbasanin, por edhe më tej.

Kristoforidhi solli librat e shenjtë në shqip

Në vitin 1857 Kostandin Kristoforidhi hyri në kolegjin e misionarëve, ku nisi menjëherë përkthimet biblike në një përkthim të ri toskërisht. Në korrik të vitit 1857 Kristoforidhi kalon në kolegjin protestant të Maltës deri në vitin 1860, duke përfunduar edhe përkthimin e “Dhjatës së Re” toskërisht e gegërisht. Dorëshkrimi në toskërisht ruhet në Londër. Shoqëria biblike e Londrës nuk ishte e vendosur t’i botonte këto përkthime, kështu që Kristoforidhi u detyrua të hartonte punimin "Shkrime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta" për të vërtetuar domosdoshmërinë e botimeve të reja shqip, por as kjo nuk e bindi këtë shoqëri, duke bërë që Kristoforidhi të largohej nga aty, për t’u martuar më pas në Tunis, ku edhe punoi si mësues. Më 1865 hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e shoqërisë biblike të Londrës Aleksandër Tomson, me të cilin pati një bashkëpunim të gjatë dhe të frytshëm. Gjatë qëndrimit në Stamboll botoi më 1866 përkthimin e parë gegërisht "Katër ungjijtë dhe punët e apostujve në alfabetin latin”, po kështu “Psalltiri”, “Dhiata e Re”, “Të bërët e të dalët”, “Nomi i dytë”, “Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë”. Ka lënë si dorëshkrim “Krijesa dhe të dalët gegërisht” si dhe disa dorëshkrimet e tjera, që nuk janë gjetur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›