E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Makina ku u kap Shullazi nuk është pronë e Kuvendit

TIRANE- Policia e Tiranës ka dalë me një deklaratë për median në lidhje me makinën ku u kap Emiljano Shullazi, i njohur për drejtësinë shqiptare, si trafikant droge, ndërsa është arrestuar edhe herë të tjera për armëmbajtje pa leje dhe për trazira gjatë fushatës.

Policia ka deklaruar se makina me të cilën ai udhëtonte nuk është më pronë e Kuvendit, pasi është shitur në ankand.

“Automjeti me targë TR.2703 L, nuk është pronë e Kuvendit të Shqipërisë, pasi më datë 19 Shtator 2011 shtetasi Besnik Dogushi, ka blerë këtë automjet me ankad nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit”, thuhet në deklaratë.

Po sipas policisë, shtetasi Dogushi e ka lënë makinën për shitje në një pikë servisi, ku Shullazi e ka blerë, duke e përdorur më pas pa ndryshuar pronësinë.
“Gjatë deklarimeve të dhëna në polici, shtetasi Besnik Dogushi thekson se, automjetin me targë TR.2703 L e ka lënë për t’a shitur në servisin e Mercedez Benz në Laprakë dhe më pas këtë automjet e ka blerë në këtë servis, shtetasi Emiljano Shullazi, pa kryer ende veprimet ligjore për ndërrimin e pronësi”, theksohet më tej.

Lajmi se Shullazi e Gilmando Dani u arrestuan në një makinë të Kuvendit, u bë i ditur dje nga burime të policisë së Tiranës, të cilët iu referuan dokumentacionit të gjetur në mjetin e sipërpërmendur.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Arrestimi, Emiliano Shullazi përdorte një makinë të Kuvendit Reagon Kuvendi: E kemi dorëzuar tek rezervat e shtetit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›