E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhja e krimeve të komunizmit, përurohet Instituti

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, drejtori i këtij Instituti, Agron Tufa, tha se ky institut është i hapur të bashkëpunojë e të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen e studiuesve, historianëve, botës akademike e intelektuale shqiptare për të zbardhur krimin e gjatë të mashtrimit, deformimit dhe manipulimit të jetës sonë në komunizëm në të gjitha rrafshet.

“Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që nis punën me këtë përurim në ambientet e reja, me specialistët, Bordin Drejtues dhe Këshillin Shkencor, e konsideron si mision të vet zhvarrosjen e historisë sonë të vërtetë nga dosjet e arkivave dhe nëpërmjet dëshmive dokumentare, kujtesës së gjallë, studimeve monografike do të hedhë dritë mbi të vërtetat tona të fshehura, të falsifikuara e të manipuluara nga diktatura dhe trashëgimtarët e saj”, theksoi Tufa.

Sipas tij,  Instituti, përveç karakterit skrupulozisht shkencor e dëshmues, do të ketë në agjendën e tij të përhershme sensibilizimin e shoqërisë nëpërmjet fakteve të panjohura, gjetjeve e zbulimeve, që do të ndryshojnë pikëshikimin mbi karakterin e diktaturës komuniste dhe egërinë. “Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është i hapur të bashkëpunojë e të kërkojë ndihmën  dhe mbështetjen e studiuesve, historianëve, botës akademike e intelektuale shqiptare për të zbardhur krimin e gjatë të mashtrimit, deformimit dhe manipulimit të jetës sonë nën komunizëm në të gjitha rrafshet e saj nga përditshmëria, deri tek arti e shkenca”, nënvizoi Tufa.

Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vlerësoi rëndësinë e ngritjes së këtij instituti, ndërsa siguroi se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë në mbështetje të çdo dëshmie, çdo monografie e memorie, të kërkimeve në arkiva e të dëshmive të ndryshme të asaj pjese të historisë që, siç e konsideroi ajo, është pjesa më e zezë e historisë së kombit tonë. Me këtë rast, znj Jozefina Topalli përsëriti edhe njëherë ftesën ndaj historianëve që të zbardhin të gjitha të vërtetat e krimeve të komunizmit dhe të hedhin dritë mbi tragjedinë që ky regjim mizor hodhi në mijëra familje shqiptare. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-09 17:06
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›