E Diel, 1 Nëntor 2026

Unioni i Gazetarëve: Greqia të japë arsyet e ndalimit të gazetarit

Tiranë- Ndalimi i gazetarit të televizionit Top Channel për të hyrë në territorin grek është dënuar edhe nga Unioni i Gazetarëve.

Personalitete të gazetarisë, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar sot para ambasdaës greke në Tiranës, ndërsa kanë kërkuar që Greqia të japë arsyet e ndalimit të gazetarit Marin Mema në territorin e saj.
Gjatë një deklarate për mediat kreu i Unionit, Aleksandër Çipa, u shpreh se të gjitha materialet përgatituar nga ky gazetar kanë qenë brenda normave etike, dhe e ka cilësuar veprimin e autoriteteve greke si të paprecedentë.

“Ne si Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagojmë ndaj këtij vendimi që është i paprecendë. Konstatojmë me përgjegjësi profesionale se në asnjë nga rastet kur kolegu Mema ka bërë reportazhe, telereportazhe apo shkrime të ketë qenë i dhunshëm, të ketë përdorur një fjalor fyes, të ketë etiketuar apo apeluar në mënyrë të tillë që të nxisë urrejtje, apo të shkaktojë reagime nacionaliste ndaj palëve, apo ndaj personave, grupeve e minoriteteve të ndryshme”,- tha ai.

Më tej Çipa u shpreh se nëpërmjet një letre të hapur Unioni i Gazetarëve do ti drejtohet Presidentit të Republikës së Greqisë, Kryeministrit grek dhe ministrit të Jashtëm për ta rishikuar këtë vendim dhe për ta anuluar atë.

Nesër para Ministrisë sonë të Jashtme do të bëjmë një tubim të tillë dhe do t’i drejtojmë një letër edhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kryeministrit të Shqipërisë dhe ministrit të Jashtëm”,- vijoi Çipa.

Në lidhje me ndalimin e gzetarit Mema reagoi edhe Organizata e Medias për Europën Juglindore e cila i ka kërkuar shtetit grek të japë shpjegime.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›