Unioni i Gjyqtarëve, pjesë e shoqatës ndërkombëtarëve të gjyqtarëve
Tiranë Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, një nga dy shoqatat që mbrojnë interesat e gjyqtarëve, pak ditë më parë është pranuar si anëtar në Shoqatën Ndërkombëtare të Gjyqtarëve (IAJ), e cila i zhvilloi punimet në Stamboll të Turqisë. IAJ ka status këshillimor në OKB dhe në Këshillin e Europës. Sipas Unionit të Gjyqtarëve, pranimi në këtë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar iu nënshtrua verifikimit të pavarësisë së shoqatës sonë. “Të nesërmen e lajmit të anëtarësimit, ndërkohë që një ndër temat qendrore të diskutimit në Kongresin e 54 të IAJ ishte pikërisht siguria e jetës së gjyqtarëve, u përballëm me ngjarjen tragjike të vrasjes mafioze të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, që ishte njëkohësisht anëtar i UGJSH-së”- thuhet në njoftimin e Unionit të Gjyqtarëve. Pas anëtarësimit në Shoqatën Ndërkombëtare të Gjyqtarëve, Gerhard Reissner, President i kësaj Shoqate, ka dërguar një letër pranë Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, si dhe të gjithë gjyqtarëve shqiptarë. “Në emër të të gjithë anëtarëve të Shoqatës Europiane të Gjyqtarëve dhe në emrin tim personal, më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Ne solidarizohemi me familjen e tij, kolegët dhe gjithë gjyqësorin në Shqipëri. Ky krim i pa besueshëm tregon nevojën emergjente të vendosjes së shtetit ligjor në Shqipëri, për të cilin IAJ është e gatshme të ndihmojë”- thuhet në letrën e dërguar në adresë të kryetarit të Bordit Drejtues të Unionit të Gjyqtareve, z. Ervin Metalla, njëherësh kryetari i Gjykatës së Durrësit.