E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmohen 30 dasmorë, nuk denoncojnë lokalin

Pjesëtarët e një fisi nga Berati kanë shkuar në një dasmë në Lushnjë dhe pasi janë kthyer kanë pasur probleme shëndetësore për shkak të helmimit. Një grua shtatzënë në gjendje të rëndë

BERAT Ishin nisur për të festuar dasmën e një të afërmi, por kanë përfunduar në spital për shkak të helmimit. Ndërsa nga informacionet e para mësohet se afro 30 persona nga Berati kanë marrë serume në spital, pasi kanë konsumuar ushqim në një dasmë të organizuar në Divjakë të Lushnjës. Sipas mjekëve në spitalin rajonal të Beratit, te pacientët janë paraqitur me shenja intoksikimi. Ajo që është më shqetësuese është gjendja jo e mirë e një pacienteje shtatzënë. Fillimisht ata mësohet se janë mjekuar në kushtet e shtëpisë, por, pasi kanë parë që gjendja e tyre shëndetësore ka ardhur duke u rënduar, kanë kërkuar ndihmën e mjekëve në spital.

Situata

E ndërsa pjesa më e madhe e tyre kanë marrë mjekimin dhe janë larguar, shtatë prej dasmorëve të helmuar dy ditë më parë në Lushnjë janë ende ne spitalin e Beratit për shkak te komplikacioneve. Sipas mjekut të spitalit të Beratit, Petraq Ceca, “ende nuk na ka ardhur përgjigjja e laboratorit bakteriologjik dhe kanë konsumuar mish lope. Ne do vazhdojmë t’i mjekojmë derisa t’u ndalen të vjellat dhe diarreja”. Edhe ai ka pohuar se në gjendje më të rëndë është një grua shtatzënë, e cila vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve në kurim intensiv. Pacientet pohojnë se janë ndjerë keq pasi kanë konsumuar lloje të ndryshme ushqimesh në dasmën e zhvilluar në një lokal në hyrje të Lushnjës. Problemet e para me shëndetin thonë se i kanë ndjerë që në fund të festës, por janë keqësuar gjatë rrugës për në Berat, çka ka bërë që të gjithë të përfundojnë në spital.

Denoncimi

Edhe vetë dasmorët-pacientë thonë se kanë pësuar helmim pasi kanë konsumuar ushqimin që u është ofruar gjatë dasmës. “Pasi kemi ngrënë ushqimin e dasmës, u bëmë keq, se përpara ishim mirë, s’kishim asgjë. Erdhëm nga dasma të gjithë në spital”, pohon njëra prej pacienteve. Pavarësisht këtij rasti masiv, ku një numër i madh personash janë shtruar në spital, asnjë prej tyre nuk ka pranuar të bëjë publik emrin e lokalit apo të shkojnë akoma më tej, të bëjnë denoncimin e këtij rasti. Ndërkohë drejtues të Shëndetit Publik në Lushnjë thonë se nuk kanë asnjë njoftim zyrtar dhe se deri tani nuk është marrë asnjë masë për lokalin ku pretendohet se janë helmuar dasmorët. Ky nuk është rasti i parë që ndodhin helmime masive pas konsumimit të drekës apo darkave të ceremonive martesore, por në asnjë rast nuk është bërë ndonjë denoncim apo të jenë marrë masa nga Shëndeti Publik për të bërë të paktën kontrollin apo mbylljen e lokalit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›