E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unioni i Zafirit

Zafir Berisha ka vendosur ta vazhdojë aktivitetin politik edhe pas largimit nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ish-Kryetari i PDK’së në Prizren është në fazën finale të zyrtarizimit të partisë më të re në Prizren, të cilën e ka pagëzuar Bashkimi Demokratik i Prizrenit.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të aplikojë në KQZ për zyrtarizimin e partisë, që tashmë është bërë edhe me zyrë në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit, afër tregut të gjelbër. Burime të Expressit brenda Zyrës për regjistrimin e subjekteve politike në KQZ kanë bërë të ditur se disa bashkëpunëtorë të Berishës kanë qenë të martën në këtë institucion për të marrë informacione rreth regjistrimit të subjektit politik.

“Ata kanë pyetur se si mund ta regjistrojnë partinë, e cila, sipas tyre, do të funksionojë vetëm në Prizren”, ka thënë zyrtari i KQZ’së në kushte anonime.
Deputeti Berisha ka deklaruar se në bazë të disponimit në terren, ka arsye që të besohet se brenda një periudhe, kjo nismë do të shndërrohet në një subjekt të respektueshëm politik.

“Në start synojmë që të jemi forca e dytë politike në Kuvendin Komunal, e në të ardhmen edhe e para. Forumi ynë qytetar politik në fokus do ta ketë qytetin e Prizrenit dhe vlerat e tij. Presim që ish-kolegët partiakë do ta mirëpresin këtë iniciativë politike”, ka thënë ai.

Berisha po ashtu ka thënë se është në konsultime me intelektualë të të gjitha kategorive, por edhe me aktivistë dhe nëndegë të PDK’së, që t'i bashkëngjiten kësaj iniciative.

“Afër 80 për qind të strukturave që janë meritore për fitoren më 2007 dhe 2009 kanë shprehur gatishmëri për t’u bashkëngjitur dhe për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme komunale”, ka thënë Berisha.

Por, iniciativa e Berishës nuk i frikëson strukturat komunale të Prizrenit që vijnë nga PDK’ja.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja thotë se nuk është habitur kur të mërkurën duke ecur nëpër qytet pranë tregut të gjelbër ka hasur në mbishkrimin “Bashkimi Demokratik i Prizrenit”.

“Unë i uroj atij suksese. Neve si parti politike nuk na pengon asgjë kjo parti apo edhe formimi i partive të tjera. Nuk mund ta di tashti numrin e anëtarëve të PDK’së që eventualisht mund të kalojnë në partinë e re të Berishës, por megjithatë ne jemi parti me disa vite përvojë dhe nuk e besojmë se mund të dëmtohemi. Ne jemi çdo ditë në aktivitet si parti në Prizren dhe do të vazhdojmë të jemi kompakt edhe në të ardhmen”, ka thënë Muja, të mërkurën për Express.

Të vetmen frikë që ka Muja nga krijimi i partisë së deputetit Berisha, është që ky i fundit mund ta tkurrë numrin e delegatëve të PDK’së në Asamblenë Komunale.

“Besoj se krijohen probleme për arsye se zvogëlohet numri i kuvendarëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Por, sigurisht se do të ketë rrugë të reja për të ecur përpara”, tha Muja.

Dy muaj më parë, Zafir Berisha pati deklaruar dorëheqjen nga të gjitha funksionet dhe anëtarësia në PDK. Tërheqja e tij ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve të shumta me Kryetarin e Komunës, Ramadan Muja, bashkëpunëtorët e tij dhe udhëheqjen qendrore të partisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›