E Shtunë, 31 Tetor 2026

AIITC sjell vepra të tjera të kulturës islame

AIITC sjell për lexuesit shqiptar njërin nga thesaret më të çmuara të traditës së Profetit Muhamed (a.s.), librin Muhtesar Sahih El-Buhari, i cili për nga rëndësia dhe autenticiteti vjen pas Kuranit të Shenjtë. Versioni i tij i shkurtuar botohet për herë të parë në gjuhën shqipe nga përkthyesi Telat Sula. Mësimi i traditës së Profetit Muhamed a.s. është dëshirë dhe detyrë e çdo besimtari musliman. Njëri nga librat që e ka përcjellë në mënyrën më autentike këtë traditë dhe që njihet si burimi i dytë i shkrimeve islame, pas Kuranit të Madhërishëm, është pikërisht vepra Sahih el-Buhari. Ai ka qenë prej kohësh në vëmendjen e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) për shkak të vlerës së tij teologjike dhe për gjerësinë e mesazheve hyjnore, njerëzore e shkencore që përcjell. Duke qenë se vepra e plotë përmban një numër të madh hadithesh të përsëritura, AIITC vendosi që të botonte përkthimin e një versioni të shkurtuar, me titull Muhtesar Sahih el-Buhari (Përmbledhje e librit Sahih el-Buhari), i përpunuar nga imam Zejnudin Zubejdi. Megjithatë libri përmban 2230 hadithe autentike, të cilat shërbejnë si referencë për studiuesit e Islamit, studentët e fakulteteve teologjike dhe nxënësit e medreseve, si rregullator i jetës dhe i fesë së çdo besimtari musliman shqiptar. Pas punës së kryer, është bërë e mundur që kjo vepër të dalë në një formë sa më të lehtë, në mënyrë që të përfitojë prej saj çdo lexues. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, e ka bërë traditë tashmë botimin e veprave të literaturës islame, për të plotësuar sadopak nevojën e lexuesit shqiptar për njohjen e botëkuptimit dhe të praktikës fetare islame. Botimet në këtë fushë kanë qenë të shumëllojshme, duke filluar me botimin e përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe, me broshurat e vogla njohëse mbi parimet dhe rregullat bazë të fesë, e duke vijuar me vepra voluminoze, siç është Fikhus-Sunneh / Legjislacioni i Traditës së Profetit Muhamed a.s.. Në kuadër të kësaj veprimtarie botuese është edhe dalja e kësaj vepre burimore të fesë islame. AIITC përveç kontributit të saj në botimin dhe publikimin e kësaj vepre ka organizuar edhe dhurimin e saj për lexuesin shqiptar.
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›