E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unioni në mbrojtje të gazetarëve të TVA

TIRANE- Unioni i Gaze-tarëve doli dje publikisht për të denoncuar atë që e konsiderojmë si dhunë financiare mbi gazetarët. 

 Brenda këtij muaji, Unioni i Gazetarëve ka dalë disa herë publikisht për të shprehur shqetësimet e tij ndaj situatës kritike sociale të gazetarëve. "Jemi para selisë së Televizionit Kombëtar 'Arbëria' për të denoncuar sjelljen e turpshme me stafin e këtij televizioni. Kolegët tanë dhe krejt stafi i këtij televizioni kanë tre muaj që nuk kanë marrë pagat e tyre. Ata reaguan ndaj këtij arbitrariteti të shëmtuar dhe u mbështetën prej Unionit të Gazetarëve, por si kundërpërgjigje morën urdhrin për mbylljen e televizionit", deklaroi kreu i Unionit, Aleksandër Çipa. Ai theksoi se, "askush nuk i del zot kësaj gjendjeje dhe disa prej institucioneve të linjës bëjnë të pafuqishmin për t'i dhënë zgjidhje këtij konflikti financiar dhe social". Protesta e Unionit pritet të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme. Sipas Çipës, "Unioni i Gazetarëve, duke qenë i vendosur në mbrojtje të të drejtave dhe të përmirësimit të kushteve të gazetarëve, bën me dije dhe ju fton që ditën e hënë, datë 14 korrik, në orën 18:00 të protestojmë para selisë së Parlamentit shqiptar në emër të këtij Solidariteti për vetveten! Në këtë tubim ne do t'i drejtohemi institucionit më të lartë ligjbërës të vendit për ta parë seriozisht situatën dhe gjendjen sociale të gazetarëve dhe mediave shqiptare". Unioni i Gazetarëve shpreh shqetësimin e tij dhe kërkon sqarime prej autoriteteve që kanë pushuar nga puna motrën e gazetarit  Mustafa Nano, motrën dhe bashkëshorten e gazetarit Andrea Stefani. "Nuk gjejmë asnjë arsye të shkruar për largimin e këtyre bashkë familjarëve dhe të afërmve të gazetarëve të shquar, të cilët kryesojnë sot mendimin kritik ndaj qeverisë. Këto janë akte që shprehin një hakmarrje për motive profesionale dhe që në thelbin e tyre lexohen si akt i pastër terrori financiar mbi gazetarët dhe familjet e tyre", thuhet në deklaratën për shtyp. Sipas Çipës, "brenda këtij realiteti, spikasin edhe reagimet meskine të disa drejtuesve të lartë të administratës publike, të cilët në emër të një servilizmi politik po penalizojnë familjarët dhe të afërmit e gazetarëve që shquhen për një reagim të fuqishëm oponencial".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›