E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërngulen me autobus 30 të dënuarit e Burrelit

Pakësohet numri i të burgosurve që ishin sistemuar në burgun e sigurisë së lartë Burrel. 

BURREL/ ENVER DOÇI

 Dje në mesditë 30 të dënuar kanë lënë qelitë e këtij burgu për t'u vendosur në burgun e Fushë-Krujës. Nën masa tepër të rrepta sigurie është kryer transportimi i tyre me një autobus të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Burime të rezervuara sqarojnë se, shumë nga të dënuarit kishin bërë kërkesë për të ndryshuar "vendbanim". Forca të Drejtorisë së Burgjeve dhe komisariatit të Matit kanë siguruar lëvizjen normale të të dënuarve nga burgu i Burrelit në burgun e Fushë-Krujës. Burime nga ky burg sqarojnë se, 30 nga të dënuarit janë me dënime të ndryshme, nga ata me burgim të përjetshëm në të tjerë më disa vjet heqje lirie. Autoritetet vendore thanë se kanë ikur nga ky burg edhe disa të dënuar të fortë, si "Gaxhai", "Topalli" etj., ndërsa vazhdon në qelitë e Burrelit Zani Çaushi. Rreth orës 10:00 vargu i makinave të policisë, para dhe pas autobusit ku ishin vendosur të dënuarit kanë udhëtuar mes përmes qytetit të Burrelit, ku të dënuarit kanë përshëndetur qytetarët që shihnin me kureshtje. Transferimi i djeshëm lidhet me mbipopullimin e burgut të Burrelit. Në momentet kur ndodhi ngjarja e rëndë e arratisjes së dy të dënuarve, pak muaj më parë, ky burg kishte afro 300 të dënuar nga 160 që ka kapacitetin normal. Javë më parë u transferuan 40 të dënuar, duke e çuar në 70 numrin e atyre që lanë qelitë. ndërkohë me 30 të transferuarit e djeshëm ky numër shkon në 70. Burime të besueshme informacioni thonë se, gjatë këtyre dy-tre muajve janë kryer edhe lëvizje të tjera të dënuarish, në numër më të pakët. Aktualisht pohohet se në burgun e Burrelit janë sistemuar afro 220 të dënuar. Specialistët e burgjeve sqarojnë se, ky numër duhet të ulet edhe më tej për të krijuar kushte më të mira akomodimi për të burgosurit, pasi ende ka probleme si: çështja e cilësisë së ushqimit, mënyra e menaxhimit të burgut sipas normave bashkëkohore, çështja e ndotjes brenda e jashtë institucionit, etj. Ende Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka një projekt të sakët si do të veprohet me burgun e Burrelit: Do të kthehet në burg muze siç e kërkojnë ish-të dënuarit e diktaturës, apo do të investohet për të ndryshuar kushtet e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›