Spahiu: Shteti, mua ose Delijorgjin
Armand Mero
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, e cilëson si një Gërdec të dytë për Drejtësinë sulmin ndaj tij prej Mihal Delijorgjit, drejtuesit të kompanisë që kryente çmontime në Gërdec i cili pak ditë më parë iu drejtua me një letër autoriteteve shtetërore. Qëndrimi ndaj kësaj situate sipas tij, do të jetë një test për shtetin për të dëshmuar se në anën e kujt është. Në një bisedë me "Zërin e Amerikës" zoti Spahiu e konsideron artificial konfliktin e lindur me ministrin e Drejtësisë, Alibeaj dhe antikushtetuese kër-kesën për verifikimin e veprimtarisë së tij si nënkryetar.
Është kthyer gati në një luftë të ftohtë përplasja mes ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të Këshillit të lartë, Kreshnik Spahiu.
"Do të thosha që gjithçka është artificiale. Prej shumë kohësh, ndoshta për herë të parë në KLD ka pasur një harmoni të plotë dhe një vendimmarrje konsensuale, përfshirë dhe një dialog shumë konstruktiv brenda KLD-së. Me bindje ju them se çdo kërkesë apo pretendim i ardhur nga ministri i Drejtësisë deri më sot është pranuar në 100 për qind të rasteve, sikundër ka pasur një bashkëpunim shumë serioz".
Edhe ministri i Drejtësisë Alibeaj ka folur për një konflikt të stisur, duke akuzuar zotin Spahiu për protagonizëm politik.
"Protagonizëm politik nga ana ime nuk mund të ketë sepse unë nuk përfaqësoj asnjë parti politike, ky protagonizëm mund të jetë nga ana e ministrit. Së dyti, nuk ka pasur asnjë tendencë të këtij protagonizmi sepse kjo është dalja ime e parë në media për këtë çështje dhe nuk jam shprehur në asnjë rast asnjë rezervë, apo kritik në adresë të ministrit të Drejtësisë, i cili është anëtar ex officio. Të gjitha deklaratat, kundërdeklaratat e qëndrimet antagoniste në 7 apo 8 raste kanë ardhur nga ana e ministrit”.
Pak ditë më parë ministri i Drejtësisë kërkoi verifikimin e ligjshmërisë së ushtrimit të detyrës nga ana e nënkryetarit Spahiu. Këshilli i Lartë e hodhi poshtë me votim këtë kërkesë. Ministri Alibeaj nga ana e tij e quajti të gabuar qëndrimin e Këshillit, mosrespektim të ligjit dhe ka përsëritur publikisht kërkesën. Por zoti Spahiu është i mendimit se kjo kërkesë është antikushtetuese:
"Për herë të parë në historinë e KLD-së, pas 15 vjetësh, në historinë e tij dhe të jurisprudencës shqiptare bëhet një kërkesë kaq antikushtetuese dhe antiligjore. Dhe besoj se përgjigjja më e mirë është vendimi i KLD-së, i cili e rrëzoi si të pabazuar në ligj këtë kërkesë dhe më pas edhe vendimi i vetë ministrit me nënshkrimin që i bëri raportit të kontrollit të inspektoratit të KLD-së, që ishte bërë objekt i debatit e diskutimit. Pra, vetë ministri ka pranuar që ky raport dhe ky kontroll ka qenë i rregullt".
Por ministri nga ana e tij është shprehur se, debati nuk ka qenë për çështjen e propozimit për procedim disiplinor të tre gjyqtarëve që i dhanë pafajësinë Mihal Delijorgjit, drejtuesit të shoqërisë që kryente çmontimet në Gërdec. Ai e ka firmosur nisjen e procedimit. Pak ditë më parë tha se, çështja do i nënshtrohet tashmë Këshillit sikundër dje njoftoi se, do të kërkojë të njëjtën masë edhe për tre gjyqtarë të tjerë dhe dy prokurorë.
"Ne mirëpresim edhe zgjimin nga gjumi letargjik të ministrit për t'u përfshirë në llogoren antikorrupsion, ne mirëpresim çdokënd që të përfshihet në këtë luftë. Raporti i kontrollit për gjyqtarët që liruan të dyshuarin për autorin kryesor të shpërthimit të Gërdecit ka shkaktuar një debat kaq të madh. Më pas kjo u shoqërua me një Gërdec të dytë për drejtësinë shqiptare, që është letra dhe kërcënimi që ka marrë Kreshnik Spahiu nga qelitë e burgut prej Mihal Delijorgjit dhe në këtë kontekst do të shtoja se, pa paragjykuar hartuesit apo bashkautorët e kësaj letre, qëndrimi ndaj Kreshnik Spahiut do të jetë një test nëse shteti do të mbajë anën e drejtësisë, apo anën e Mihal Delijorgjëve".
Të dy protagonistët e kësaj përplasjeje e cilësojnë atë artificiale, ndonëse debatet vazhdojnë prej shumë ditësh të ngarkuara me insinuata të forta. Tashmë mbetet për të parë nëse ajo është vërtetë e tillë, apo siç shumë vëzhgues vlerësojnë, ka dhe një sfond politik.
Marrë nga
"Zëri i Amerikës"
Alibeaj: Spahiu mashtron,mandati do i verifikohet
TIRANE - "Nënkryetarin e KLD-së nuk e mbron nga procesi i verifikimit të mandatit as "Delijorgji" e as 'Ben Qimja'". Ky ishte reagimi i djeshëm i ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, menjëherë pas intervistës së Kreshnik Spahiut te "Zëri i Amerikës". "Pas deklarimeve të fundit të nënkryetarit të KLD-së shprehem se jam i indinjuar për mashtrimet që Kreshnik Spahiu vazhdon t'i shpërndajë ende nëpërmjet medias. Deklarata e tij e fundit tregon qartë se Spahiun e ka kapur paniku nga kërkesa e ministrit të Drejtësisë për verifikimin të mandatit", pohon Alibeaj, ndërsa më tej shton se: "Në materialin drejtuar tij drejtuar ministrit të Drejtësisë për çështjen e tre gjyqtarëve, Spahiu nuk ka kërkuar as procedim disiplinor, as shkarkimin dhe as ndjekje penale për ta, siç është shprehur dhe vazhdon të shprehet rëndom në shtyp. Deklarata e tij e sotme nuk tregon veçse frikën që e ka përfshirë atë nga procesi i verifikimit të mandatit, por nga ky proces nuk do të mbrohet as duke u fshehur pas "Delijorgjit", por as pas 'Ben Qimes'". Në fund të reagimit, të cilit ministri i ka bashkëngjitur edhe faksimile të kërkesës së Spahiut, Alibeaj thotë se: "Është në nderin edhe seriozitetin e tij (Spahiut), dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të pranojë procesin e verifikimit, sepse ky proces do të vazhdojë në KLD. Nëse do të vazhdojë të fshihet pas "votimeve" antiligjore, ky proces verifikimi do të bëhet nga organe të tjera ligjore dhe kushtetuese". fa.ma