Unitet për dialogun, por JO koalicionit të gjerë
E përditshmja kosovare Zëri, shkruan sot se, faktori politik në Kosovë është në favor të krijimit të një uniteti ndërmjet pozitës dhe opozitës para se Prishtina zyrtare ti nisë bisedimet e reja me Beogradin, por përjashton mundësinë e krijimit të një koalicioni të gjerë.
Vetëm një ditë pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi lançoi idenë se për çështjen e bisedimeve nevojitet një koalicion më i gjerë politik ndërmjet pushtetit dhe taborit opozitar, duke kërkuar unitet brenda forcave politike para se të hyhet në bisedimet e reja me Serbinë, opozita është në favor të arritjes së konsensusit të përgjithshëm të skenës politike, porse nuk përkrah idenë e ndonjë koalicioni të gjerë, pasi kundërshton çdo dialog politik mes Kosovës dhe Serbisë.
Nënkryetarja e partisë më të madhe opozitare në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatçija, tërheq vërejtjen se autoritetet qeveritare të Kosovës në asnjë variant nuk duhet të pranojnë të hyjnë në negociata të reja politike me shtetin serb, pasi rikujton se bisedimet politike kanë përfunduar qysh në Vjenë, dhe si rezultat i tyre kemi dokumentin e Ahtisarit.