Uniteti fals rizgjodhi humbësin e zgjedhjeve
Entuzsiazmi hipokrit e dëmton solidaritetin e sinqertë të anëtarëve të një partie politike. Aq më tepër ai shkatërron ortakëritë, e krijuara mbi bazën e frikës nga ndëshkimi për zullumet. Është thënë nga të diturit se asgjë nuk i lidh njerëzit më fort se frika e përbashkët. Megjithatë, kudo gjenden njerëz, që u besojnë të tjerëve si vetes. Zgjedhjet për të rimandatuar Ramën treguan se edhe në PS ka anëtarë që ia duan të mirën partisë, që ëndërrojnë ta shohin të majtën të bashkuar. Dhe ndoshta kanë qenë këta që nuk iu afruan kutive për të rizgjedhur humbësin Rama. Edhe socialistët janë lodhur nga unitetet e pathyeshme parti-popull. Vetëm diktatorëve u pëlqen hipokrizía. Kushedí sa është kënaqur Rama me “unanimitetin” e rizgjedhjes së tij! Natyrisht, pasi është çliruar nga makthi i një humbjeje fare të mundshme. Liberalët e përjashtimit nga partia, si Rama, e dinë që shumica e anëtarëve nuk i do. Që këta të fundit janë të pakënaqur nga humbja e zgjedhjeve të përgjithshme. Por ambiciozëve nuk u bëhet vonë për shkallën e sinqeritetit të votuesve. Atyre u duhet qëndrimi me çdo kusht në pushtet. Këta madje dhe hipokrizinë e shohin si një sëmundje të dobishme, që, si epidemi, duke u përhapur, i edukon njerëzit të shtiren sikur duan dhe atë, që u shkatërron të ardhmen e fëmijëve. Dhe karrieristëve vulgarë u mjafton vetëm kaq.
Edvin Rama e mban veten për liberal; për drejtues vizionar, të rinovuar, tolerant, zemërgjerë, të dhembshur. Ndoshta prandaj dhe sillet sikur është solidar me të gjithë. Por sinqeriteti provohet, kur njeriut i preken interesat. Atëherë vihen ré virtytet, apo veset e tij. Kurse Rama ka dhënë prova që nuk është ai i fillimit. Bilé, po del që qënkësh e kundërta. Se, askush s’e di ç’i ka mbetur nga mburrjet e tij prej anarkisti, që nuk duronte asnjë lloj pushteti.
Rama hyri në garën e rizgjedhjes i sigurt për “unanimitetin” e fitores së tij. Se dhe në mes të asaj fryme manipulimi të rizgjedhjes, në atë tallje cinike me vullnetin e votuesve socialistë, ai përsërí mbrojti me patos bojkotin dhe mallkoi shkeljet e sajuara të zgjedhjeve të përgjithshme. Dhe votimi i tij u krye me “entusiazmin” e qetë të atyre që e dinin se po votonin kundër vetes. Zgjedhjet shpallën kryetar atë që duhej të dorëhiqej. Edvinistët realizuan fitoren e Ramës, bllokuesit të reformave. Dhe u kthyen në shtëpi, të mallëngjyer që kishin legalizuar shkeljen e statutit të partisë. Prandaj i falën dhe “Lakrorit” ca vota, si mirënjohje që u shpëtoi nga turpi i dytë Ramën. Në këto zgjedhje të “lira” u manifestua fryma e unitetin të çeliktë të “qoftëlargut”. Rama u bë “njësh” me partinë, sidomos në zonat e thella. Atje ku “unanimiteti” arriti standartet e adhurimit enverist. Gjatë fushatës askund nuk lindi nevoja e ndonjë analize për shkaktarin e humbjes, për përgjegjësinë ndaj socialistëve, për aspiratat madhore të vendit. Ai unitet fals qe i mjaftueshëm për të sanksionuar plotfuqishmërinë e kryetarit. Të gjithë mëkatarët u ndienë më të fortë, më të bashkuar rreth avokatit të të korruptuarve.
Një atmosferë të tillë “uniteti” do ta kishte zili edhe “Qoftëlargu”. Prandaj nuk u ndie nevoja e solidaritetit njerëzor. Dukej sikur votuesit ishin rekrutuar për ndonjë aksion me goditje të përqëndruar. Inercia e një lloj frike të lashtë dhe interesat e paligjshme e rikrijuan, më në fund, atë lloj “uniteti”, që e dëmtoi aq shumë mirëkuptimin e njerëzve, të bashkuar dje rreth idealit të “dajakut”. Se nuk mund të ketë bashkim të sinqertë, aty ku flaket si rreckë mendimi i kundërt. Aty ku bën fole frika, sinqeriteti merr arratínë. Por diktatorëve nuk u duhet solidariteti. Madje, ata kanë frikë prej tij. Solidariteti kërkon barazí. Kurse autoritaristët qëndrojnë mbi partinë. Ata vetëm unifikohen me këtë. Ndoshta prandaj në shumë fytyra votuesish dukej sikur qe shkruar parrulla .”Kur themi partia, nënkuptojmë Rama !...”. Stalini ka qënë më i sinqertë në përbuzjen e tij ndaj unanimitetit. Ai e deklaronte haptas se nuk i duhej as solidariteti. Ndoshta prandaj pati deklaruar solemnisht :” Neve na duhet vetëm neutraliteti dashamirës i shumicës !”. Arsyeja kuptohej. Tirani nuk priste që ta donin viktimat. As Rama nuk pret ta duan të gjithë socialistët. ( E si mund ta duan atë që bën bojkot kundër interesave të tyre ? ) Për Ramën është e mirëpritur tallja e atij mendimtarit angez me demokracinë popullore, kur e stigmatizonte si “Kopaçen e popullit për popullin!”. Mos, vallë, ishin ithtarët e kësaj “kopaçeje”, që e rizgjodhën Ramën kryetar, edhe pse humbës i zgjedhjeve? U riafirmua, pra, përçarësi i së majtës. U shpall etalon misionari i bojkotit. U rizgjodh antieuropiani, që po kundërshton dhe lavdërimet e aleatëve të Shqipërísë për zgjedhjet e qershorit. Taní P.S.-ja ëndërron të ketë vetëm humbje, që të mund të shpallë kështu vazhdimisht “Politikën e re” të bojkoteve të “arsyeshme” !...