E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha, në një intervistë të posaçme për “Zërin e Amerikës”

“Arbitri ndërkombëtar çertifikoi zgjedhjet - sugjerimet e opozitës do konsiderohen, vetëm kur ajo të vijë në Parlament”

Në momentin kur Kryeministri Sali Berisha po i jepte dorën e fundit fjalimit që do të mbante në debatin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, jep një intervistë ekskluzive për “Zërin e Amerikës”, duke specifikuar kontributin e Shqipërisë në këtë organizëm ndërkombëtarë dhe rolin e saj si vend pilot në kuadër të reformave të OKB-së. Berisha u shpreh se në sajë të reformave të qeverisë, 400 mijë qytetar kanë kaluar pragun e varfërisë në të ardhurat për frymë.  “E proporcionuar kjo me numrin e përgjithshëm të popullsisë, është një arritje e konsiderueshme”, deklaroi Berisha. Kryeministri i vendit Sali Berisha i apelon sërish palës opozitare, që pretendimet e saj në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, t’i shtrojë në parlament dhe jo në deklarata sporadike, në formë polemikash.
Gjatë intervistës për “VOA”-n, shefi i ekzekutivit Berisha, bëri të ditur se është i gatshëm të ulet në tryezën e diskutimeve me opozitën, vetëm për çështje që janë në përputhje me rekomandimet. Sipas kryeministrit zgjedhjet u vlerësuan pozitivisht nga arbitri ndërkombëtarë dhe nuk ka vend për tejkalim të propagandës politike të opozitës. Në intervistën e tij, Berisha iu referua edhe situatës monetare në vend, pas luhatjeve të monedhës vendase, lekut, ndaj asaj evropiane, euro, në shifrat nga 7 për qind deri në 10 për qind, për të cilën u shpreh se kjo lëvizjeje, në një shkallë të tillë, është plotësisht e pranueshme.

Çfarë kontributi mund të ofrojë një vend i vogël si Shqipëria në debatin e OKB-së? 
Së pari shembullin e saj, përzgjedhur si vend pilot në kuadrin e reformës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por edhe në kuadrin e “Millenium Challenge Corporation”, mendoj se Shqipëria ka qenë e suksesshme në luftën kundër varfërisë. Po të kemi parasysh se në tre vjet 400 mijë qytetarë kanë dalë përtej pragut të varfërisë, kanë kaluar pragun e varfërisë me të ardhurat për frymë, e proporcionuar kjo me numrin e përgjithshëm të popullsisë, është një arritje e konsiderueshme. Shqipëria merr pjesë në operacionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Çad dhe është e vendosur që shtojë praninë e saj në operacionet paqeruajtëse në kuadrin e kësaj organizate.

Sa e dëmton ekonominë e Shqipërisë zhvlerësimi i monedhës së lekut dhe a ishte një keqinterpretim i deklaratave tuaja fakti që solli reagimin e tregut?
Realiteti është ky, gjatë muajve të fundit ka një dobësim që luhatet nga 7 deri në 10 për qind, dobësim i cili nuk është problematik. Për derisa ky dobësim nuk ka pasoja mbi indeksin e çmimeve nuk përbën një problem serioz. Si i tillë, natyrisht ka pasoja negative dhe pozitive. Pasoja pozitive është eksporti, favorizon eksportin. Pasoja negative është së shtrenjton kredinë, por sidoqoftë mendoj se është në kuadrin e një fleksibiliteti plotësisht të pranueshëm. Banka e Shqipërisë duhet të vlerësoj këtu, ka bërë një menaxhim shumë të mirë të këtij problemi dhe në limitet e kësaj lëvizje është plotësisht e pranueshme. A ndikoi deklarata? Unë nuk mund të përjashtoj një ndikim të lehtë të saj, por çështja e deklaratës, ka të bëjë më shumë me një plan perspektiv dhe aspak imediat. Sepse edhe sikur Shqipëria të dojë, nuk mund ta realizojë dot pa një periudhë jo të shkurtër kohore.

Ndoshta ishte zgjedhja e papërshtatshme e fjalëve nga ana e juaj...?
Nuk ishte zgjedhja e fjalëve nga ana ime, por ishte edhe ekoja që i dhanë mediat fjalëve të mia. Por mediat kanë bërë detyrën.

Në Shqipëri duket se ende nuk keni dalë nga situata paszgjedhore, në parlament nuk ndodhet opozita. A është problem për ju që të qeverisni, nëse opozita do të vazhdojë të mungojë?
Për këto zgjedhje ka një vlerësim të arbitrit, i cili thotë për herë të parë se zgjedhjet në Shqipëri plotësuan për herë të parë angazhimet kryesore e OSBE dhe ODHIR dhe se vlerësimi i përgjithshëm për to është pozitiv. Atëherë, më tutje, zgjedhjet nuk ishin të përsosura, sepse zgjedhje të përsosura Shqipëria do të dojë shumë kohë për të pasur dhe janë të pakta vendet që i kanë të përsosura dhe përsëri arbitri ndërkombëtar ka bërë një sugjerim. Opozita është e ftuar që të ulet dhe unë do t’i jap asaj të drejtën që të përcaktojë rrugët e zbatimit të këtyre sugjerimeve të arbitrit ndërkombëtar. Por zbatimi i këtyre sugjerimeve bëhet në parlament dhe jo jashtë parlamentit. Në rast se opozita përcakton kushte, të cilat dalin jashtë kërkesave të bëra nga arbitri ndërkombëtar, zgjedhjet janë sa kombëtare aq edhe ndërkombëtare. Ne nuk mund t’i konfondojmë gjërat. Ndaj edhe unë e mirëpres atë të vijë në parlament. E garantoj atë se sikur ka përcaktuar pothuajse çdo gjë në kuadrin zgjedhor të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga sistemi te komisionet, sërish unë i njoh asaj të drejtën dhe përsa kohë unë do të jem në pushtet do t’i njoh të drejtën e përzgjedhjes opozitës. Ky është një qëndrim i pandryshueshëm i imi.

Pra ky është kompromisi që ofrohet pasi opozita ka një numër kërkesash?
Më fal, por cila është substancuar, se duhen substancuar. Nëse opozita thotë numërimi, ka një vlerësim të arbitrit ndërkombëtar. Nuk ka të dhëna për parregullsi në numërim dhe manipulim të rezultateve. Ka vërejtjet për numërimin, për pozicionimin,etj, urdhëro të përcaktojmë rregullat, por duhet të them një gjë, ky ka qenë numërim unik në botë. Është hera e parë në historinë e zgjedhjeve botërore që çdo votë filmohet, fotografohet, transmetohet on-line në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Atëherë, ka pasur problem në vendosjen e njerëzve ose të teknologjisë? Urdhëro të përcaktojmë rregullat se si ta përmirësojmë.

Sa herë që vini në Shtetet e Bashkuara, ju i bëni thirrje shqiptaro-amerikanëve që të investojnë në Shqipëri. Por sa janë dëgjuar thirrjet tuaja, a ka shembuj suksesi apo ata ngurrojnë për shkak të imazhit të Shqipërisë, një vend që është ende në tranzicion?
Mendoj se në klimën e biznesit janë bërë dhe po bëhen përparime shumë të mëdha. Regjistrimi i biznesit sot bëhet me 1 euro brenda gjysmë ore, nga 4 mijë euro dhe ditë të tëra nëpër gjykata që bëhej më parë. Kemi krijuar “One Stop Shop” për licencat dhe lejet, dhe kemi hequr 2/3 e lejeve dhe të licencave, kemi ndërmarrë një seri masash të tjera dhe po vazhdojmë. Tani një problem mundues që ka qenë për investimet është çështja e pronësisë. Po i jepet një përgjigje shumë e mirë nëpërmjet parqeve industriale. Qeveria po punon me dy nga ekspertët më të njohur në Evropë për investimet e huaja. Do të bëhet një reformë e thellë e Agjencisë së Investimeve të Huaja, do të bëhet një profilizim i ri I diplomacisë shqiptare drejt diplomacisë ekonomike, pra kjo përbën një temë themelore të qeverisë dhe shqiptarët po vijnë dhe po investojnë. A mund të vijnë më shumë? Do të vijnë më shumë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›