E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, Borchard: Shqipëria është ende larg Evropës

 

"Shqipëria ka ende punë që të provojë se është e denjë për të pasur një sistem të lirë vizash", tha ambasadori gjerman Berndt Borchardt në një aktivitet të organizuar nga "G99" dhe European Stability në Universitetin Evropian të Tiranës. Gjatë këtij aktiviteti u treguan dy filma dokumentarë mbi zhvillimet e dy vendeve ballkanike në tranzicion: Shqipëria dhe Bosnja. Duke folur mbas filmit për Shqipërinë, ambasadori gjerman Borchard i rekomandoi qeverisë shqiptare të angazhojë faktorë të huaj në përmirësimin e standardeve të kufijve. Përfaqësuesi i ESI, Gerald Knauss, rekomandoi që Shqipëria të mos të mbetet mbrapa vendeve fqinje dhe të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE përpara dhjetorit të 2008-ës, përndryshe do të mbetet përsëri e fundit në listë. "Shqipëria ka një problem imazhi - tha Knauss- një imazh, i cili e mban peng edhe mbas vendeve si Serbia, të cilat në fakt kanë votuar për parti antievropiane në shumicë. Erion Veliaj ritheksoi angazhimin e plotë të "G99" për të lobuar intensivisht në krah të gjithë aktorëve që dëshirojnë të përshpejtojnë proceset integruese të vendit. "Politikat aktuale të qeverisë Berisha janë duke e larguar vendin nga ecuria normale e zhvillimit dhe po e mbajnë larg BE-së", tha Veliaj, por kjo nuk duhet të na dizkurajojë. Përkundrazi tani duhet të mbledhim forcat që të ecim në të njëjtin ritëm me aktorët e tjerë në rajon, që t'i bashkohemi sa më shpejt familjes evropiane". Remzi Lani gjithashtu tha se, "Shqipëria nuk duhet të mbetet e fundit në procesin e aplikimit, por integrimi i saj duhet të pasqyrojë proceset e zhvillimit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›