E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universi akuzon Prishtinën

Drejtori i Kolegjit Universi, Islam Havolli thotë se mezi e ka shpëtuar klubin e tij nga shuarja sherri i Sigal Prishtinës BC. Ai akuzon kryeqytetasit se në mënyrë jokorrekte ia ‘grabitën’ thuajse gjithë ekipin – dy trajnerë dhe tetë basketbollistë. Por, drejtori i prishtinasve, Artan Rugova, e thotë të kundërtën. Ai tregon se klubi i tij i ka kryer transferimet në mënyrë të rregullt. Kështu thotë edhe FBK-ja. Nga Valon Konushevci më 24 shtator 2011 në ora 13:17

Klubi basketbollistik Kolegji Universi (ish Kolegji EuroSport) për pak i ka shpëtuar shuarjes. Dhe për këtë udhëheqësit e klubit nga Bardhoshi i fajësojnë udhëheqësit e Sigal Prishtinës BC.

Drejtori i këtij klubi, Islam Havolli ankohet se klubi kryeqytetas në mënyrë jokorrekte ia ‘grabiti’ thuajse gjithë ekipin - dy trajnerët, Albert Sylejmanin e Ibrahim Karabegun dhe tetë lojtarë tjerë: Ard Islamin, Lorik Kllokoqin, Leonard Mekajn, Granit Hysenin, Zgjim Gergjaliun, Erzen Sopin, Fisnik Bekajn dhe Endrit Zhurin.

“Trajnerët kishin marrë ofertë nga Prishtina, udhëheqësit e së cilës nuk ishin konsultuar fare me mua. U takova me trajnerët dhe ata nuk më pritën fare t’u bëj ofertë të re për t’i mbajtur në klub dhe iu bashkuan Prishtinës”, tha Havolli për Express.

“Edhe lojtarët pa lejen time e braktisën klubin dhe iu bashkuan Prishtinës. Zyrtarët e Prishtinës as që më kanë kontaktuar. Kurse klubi im prej katër vitesh ka investuar në ta. Kështu, me ndihmën e Valton Bilallit ia dolëm t’i tubojmë disa djem të rinj dhe ia dolëm disi ta shpëtojmë klubin nga shuarja”, theksoi ai.

Mirëpo, kritikat e Havollit i quan të pabaza drejtori i Sigal Prishtinës BC, Artan Rugova. Sipas tij, transferimet në klubin e tij nga Kolegji Universi janë kryer në mënyrën më korrekte të mundshme.

“Ne nuk e kemi marr askënd në atë mënyrë. Kemi qenë të interesuar të angazhojmë trajnerë për ekipet e reja të Sigal Prishtinën BC dhe për akademinë e klubit tonë. Kemi biseduar me së paku gjashtë trajnerë. Kur kemi biseduar me Karabegun e Sylejmanin, i kam pyetur se a keni obligime të pakryera ndaj ndonjë klubi. Ata nuk kanë pas obligime dhe pastaj kanë nis punën në klubin tonë”, tha Rugova për Express.

“Sa i përket lojtarëve, dyert e klubit, si klub i ri, kanë qenë të hapura për të gjithë ata që nuk kanë pasur obligime ndaj ndonjë klubi tjetër. Andaj, si lojtarë pa obligime, ata lojtarë kanë zgjedh klubin tonë. Përndryshe, Kolegjit Universi nuk ka çka t’i mbetet hatri, sepse ne i kemi mbajtur me lojtarë që vetë i kemi paguar dhe kontributin e kanë dhënë në Kolegjin EuroSport. Ka qenë interes i dyanshëm”, u shpreh Rugova.

Sigal Prishtina BC qysh më moti ka paraqit kërkesë në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) për t’i regjistruar lojtarët me të cilët është përforcuar gjatë afatit kalimtar, i cili para pak ditëve veç është mbyllur. Sipas FBK-së, bardhekaltrit të gjitha transferimet i kishin kryer në mënyrë të rregullt.

“Të gjitha kërkesat e lojtarëve për kalim në afatin e rregullt kalimtar janë të pa kontestuara, pasi që lojtarët nuk kanë kontrata të deponuara në FBK, dhe klubi nga i cili bëhet kalimi nuk kanë bërë vërejtje me shkrim. Asnjë nga lojtarët nuk kanë kurrfarë obligimi ndaj tyre”, thuhet në një njoftim për media të lëshuar nga Komisioni për kalim dhe regjistrim i FBK-së.

Sipas tij, lojtarët e ardhur nga Kolegji Universi do t’i mbrojnë ngjyrat e ekipit junior të Sigal Prishtinës BC, i cili do të udhëhiqet nga Sylejmani. Ky i fundit, bashkë me Karabegun do të punojnë edhe në Akademinë e Sigal Prishtinës BC.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›