E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA – FFK’së: Keni durim

FIFA ka njoftuar udhëheqësit e futbollit kosovar se nuk e ka vënë në harresë kërkesën e tyre rreth lejimit të organizimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Kjo organizatë ka sqaruar se ende nuk ka marrë një rekomandim të qartë nga UEFA se si t’i përgjigjet kësaj kërkese. Shtëpia e futbollit botëror i ka siguruar kosovarët se rasti i tyre do të shqyrtohet sërish më 19 tetor. FFK-ja beson se do ta merr një lajm të mirë nga Zurichu. Nga Valon Konushevci më 24 shtator 2011 në ora 13:58

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) të premten ia ka dërguar një shkresë zyrtare Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Nëpërmjet saj, FIFA ua ka bërë me dije udhëheqësve të futbollist kosovar të kenë pak durim, sepse nuk e ka harruar kërkesën e tyre rreth lejimit të organizimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për përfaqësuesen e Kosovës dhe klubeve të saj.

Në fakt, shtëpia e futbollit kosovar qysh moti ia ka bërë këtë kërkesë FIFA-s. Kjo e fundit kishte diskutuar rreth asaj kërkese, por megjithatë nuk iu kishte përgjigjur palës kosovare duke sqaruar se fillimisht i duhet ta merr një rekomandim nga UEFA. Edhe kjo e fundit e kishte shqyrtuar kërkesën e Prishtinës, por megjithatë ende nuk i ka rekomanduar qartë FIFA-s se si t’i përgjigjet shtëpisë së futbollit kosovar.

Andaj, krerët e FFK-së vazhdimisht kishin insistuar që FIFA dhe UEFA t’i përgjigjen sa më shpejt kërkesës së saj, në mënyrë që çështja mos të zvarritet akoma më shumë. Përgjigjen e fundit nga FIFA, FFK-ja e kishte kërkuar nëpërmjet një shkrese më 2 shtator.

“Siç e kemi përmendur edhe në letrën tonë që ia kemi dërguar UEFA-s më 3 mars 2011, e që më pas është përcjellë për te ju, rasti i FFK-së është diskutuar gjatë takimeve të Komitetit të Asociacioneve të FIFA-s dhe Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Ishte vendosur që rasti duhet t’i referohet UEFA-s, në mënyrë që të marrin një mendim rreth kërkesës suaj për zhvillimin e miqësoreve me shtete dhe klube që janë të gatshme ta bëjnë një gjë të tillë”, thuhet në shkresën që e ka marrë FFK-ja të premten nga FIFA, të nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm, Jerome Valcke.

Nëpërmjet kësaj shkrese, Valcke i ka siguruar udhëheqësit e futbollit kosovar se kjo kërkesë e tyre do të shqyrtohet sërish nga ana e FIFA-s më 19 tetor, meqenëse UEFA ende nuk e ka dhënë një opinion të qartë.

“UEFA ende nuk ka paraqit ndonjë propozim konkret dhe bisedimet mes dy organizatave janë ende në zhvillim e sipër. Megjithatë, ju sigurojmë se FIFA është duke u marrë me kërkesën tuaj. Dhe si i tillë, rasti do të debatohet në takimin e ardhshëm të Komitetit të Asociacioneve të FIFA-s më 19 tetor 2011”, thuhet në fund të kësaj shkrese të FIFA-s.

Në anën tjetër, në FFK besojnë se kësaj radhe FIFA përfundimisht do t’i përgjigjet kërkesës së saj. Nënkryetari Agim Ademi pret një përgjigje pozitive. “Më e rëndësishmja është se FIFA seriozisht po merret me Kosovën. Më 19 tetor Komiteti i Asociacioneve të FIFA-s do ta shqyrtojë këtë kërkesë. Dy ditë më vonë edhe Komiteti Ekzekutiv do ta diskutojë këtë çështje dhe aty besoj se përfundimisht FIFA do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese”, u shpreh Ademi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›