E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet do të pranojnë 23 325 studentë të rinj

09/06/2011  Qeveria miraton kuotat për 11 universitetet, 1600 kuota më shumë këtë vit

Gara për pranimet, nuk parashikohet as rritje e tarifave të studimit

Të drejtën për të vijuar studimet e larta pranë fakulteteve publike për vitin e ardhshëm akademik do ta gëzojnë më shumë se 23 mijë studentë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është miratuar edhe vendimi me kuotat e propozuara për secilin nga 11 universitetet publike, që ofrojnë studime të larta në më shuam se 190 programet e ndryshme studimore. Sipas vendimit të qeverisë, për këtë vit rreth 1600 studentë më shumë do të ulen në auditorët publike, ndërsa gjithsej do të vijojnë studimet me kohë të plotë 23 325 studentë. Sikundër ka ndodhur edhe gjatë vitit të shkuar, numrin më të lartë të kuotave pritet ta ketë Universiteti i Tiranës me mbi 6 mijë kuota, të ndara për të tetë fakultetet përbërëse. Fakulteti i Drejtësisë dhe Ekonomiku do të kenë numrin më të madh të të drejtave të studimit që do të ofrohen nga Universiteti i Tiranës për maturantët e këtij vitit. Gjatë mbledhjes kryeministri Sali Berisha ka pohuar se risia në rritjen e pranimeve qëndron në faktin se 1/3-a e tyre janë të orientuara në teknologjinë e informacionit, shkencat inxhinierive dhe shkencat natyrore, profesione për të cilat vendi dhe tregu i punës kanë nevojë. “Vetëm në teknologjinë e informacionit, në 22 degë apo diploma të lidhura me të, nisin studimet 4500 studentë. Rritje të ndjeshme kanë dhe kuotat për gjuhët e huaja, në mënyrë të veçantë për gjuhën angleze. Ky vit ka veçoritë e veta, sepse ka dhe një rritje të kuotave për studentët shqiptarë nga Mali i Zi, Lugina e Preshevës si dhe ato që do të shkojnë për komunitetin rom”, - ka deklaruar kryeministri, i cili ka kërkuar edhe shtimin e përpjekjeve që duhet të bëjnë institucionet e arsimit të lartë kundrejt rritjes së cilësisë akademike që duhet të prodhojnë. Kryeministri theksoi ndër të tjera se nuk do të ketë rritje të tarifave të shkollimit për vitin akademik që vjen përveç inflacionit. “Rritje tarifash nuk mund të ketë. Siç dihet, inflacioni është inflacion dhe ai është i detyrueshëm.”

Pranimet sipas degëve

Prioritet nga rritja e kuotave të pranimit do të kenë degët e shkencave teknike, shkencave natyrore, gjuhët e huaja, shkencat e jetës, ekonomia dhe administrimi e biznesi. Duke iu referuar pranimeve të vitit të shkuar, rezulton se 10 degët universitare më të preferuara nga maturantët i përkasin fakulteteve të Universitetit të Tiranës. Megjithatë, maturantët këtë vit duhet të tregohen më të kujdesshëm, pasi për të vijuar studimet e larta duhet të marrin nota kaluese në 4 testimet e maturës.

Gara për universitetet

Sipas të dhënave të konfirmuara, pranimet në universitetet për vitin e ardhshëm akademik do të vënë në garë më shumë se 41 mijë maturantë në të gjithë vendin. Këta të fundit tashmë po testohen në provimet e maturës shtetërore si për lëndët e detyruara, ashtu dhe për ato me zgjedhje. Bazuar në kuotat e pranimeve të miratuara për këtë vit të drejtën për të ndjekur studimet e larta do ta gëzojnë më shumë se 23 mijë kandidatë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›