E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, evidentohen 517 kuotat e para bosh

16/09/2009  Procedura e pranimit në një fazë të tretë

Këtyre kuotave pritet t’u shtohen edhe vende të tjera të mbetura bosh, që do të publikohen pas regjistrimeve paraprake

Pa u mbyllur ende faza e parë e regjistrimit të kandidatëve fitues në universitete për pranimet e 2009-2010-s, janë evidentuar kuotat e mbetura bosh për një sërë fakultetesh të universiteteve publike në vend. Konkretisht bëhet fjalë për vendet e mbetura bosh që në fazën e plotësimit të dhjetë preferencave muaj më parë në formularin A-2, ku për shumë universitete në rrethe shumë prej degëve nuk janë përfshirë në një nga preferencat e maturantëve. Këta të fundit, ashtu siç është bërë traditë tashmë, kanë synuar të gjithë marrjen e së drejtës së studimeve të larta në fakultetet e kryeqytetit. Përpunimi i të dhënave në APRIAL, që ka mundësuar dhe renditjen përfundimtare të fituesve për fazën e parë, ka treguar se jo pak, por rreth 517 kuota kanë mbetur të parealizuara, pasi këto vende nuk janë përzgjedhur nga maturantë. Megjithatë, këtyre kuotave pritet t’u shtohen edhe vende të tjera të parealizuara, të cilat do të përcaktohen pas mbylljes së dy fazave të para të regjistrimeve. Plotësimi i tyre do të jetë i ndryshëm, jo vetëm me zbritje të listës së fituesve pas mbylljes së regjistrimit paraprak, por edhe me hedhjen në qarkullim të një formulari A-3 preferencash në një fazë të tretë, nëpërmjet të cilit do të bëhet rishpërndarja e re e kuotave për vendet bosh. Aktualisht pranë sekretarive të fakulteteve po vijon procedura e regjistrimit paraprak, që sipas udhëzimit të MASH-it do të mbyllet pasditen e datës 18 shtator. Pas këtij afati do të mundësohet renditja e re e fituesve, ku përveç lëvizjeve të preferencave nga një më e ulët në një më të lartë do të spostohet dhe vija e fituesve, duke përfshirë në listë edhe kandidatë që nuk u shpallën fitues në fazën e parë (kjo fazë mund të shoqërohet me rreth dy apo tri mijë vende të parealizuara për shkak të largimit të një pjese jashtë vendit).

Kuotat e parealizuara

Ashtu siç pritej, universitetet në rrethe kanë rezultuar që në fazën paraprake me vende të shumta të parealizuara. Kjo pasi maturantët kanë mësyrë të tërë drejt Universitetit të Tiranës, atij Politeknik në kryeqytet, duke anashkaluar përzgjedhjen e degëve në rrethet e tyre. Zyrtarisht është pohuar se 517 kuotat e mbetura bosh u përkasin universitetit të Korçës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Shkodrës. Ndonëse nuk është përcaktuar ende zyrtarisht, këto kuota do të futen në listën e plotësimit gjatë fazës së tretë, ku një tjetër formular preferencash do të hidhet në qarkullim vetëm për ata kandidatë që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi universitar. Megjithatë, kjo procedurë do zyrtarizohet me një udhëzim të posaçëm, që do të publikohet nga Ministria e Arsimit disa javë më vonë. Tërheqja dhe plotësimi i këtij formulari do të vihet në dispozicion vetëm të maturantëve që në fazat e para të regjistrimeve nuk kanë siguruar asnjë të drejtë studimi për vitin akademik 2009-2010.

Prurjet

Specialistët e Agjencisë, ku është bërë renditja e fituesve, kanë deklaruar se prurjet e këtij viti në fazën e parë të fituesve rezultojnë të jenë më cilësore se ato të vitit të shkuar. Sipas tyre, kjo shpjegohet me faktin se rreth 43 për qind e maturantëve të përzgjedhur në fazën e parë janë shpallur fitues në preferencën e parë, të dytë apo të tretë. Fituesit e fundit në këto preferenca kanë rezultuar me një mesatare të kënaqshme, duke rritur nivelin e cilësisë së pranimeve krahasuar me të njëjtën fazë të vitit të kaluar. Ndërsa programet më të kërkuara dhe me pranimet më cilësore mbeten po ato degë, kryesisht të Universitetit të Tiranës, që kanë paraqitur dhe fluksin më të lartë të kërkesave për pranimet e këtij vitit.

Kuotat bosh

Rreth 517 kuota kanë mbetur të parealizuara deri tani. Megjithatë, këtyre kuotave pritet t’u shtohen edhe vende të tjera të parealizuara, të cilat do të përcaktohen pas mbylljes së dy fazave të para të regjistrimeve. Plotësimi i tyre do të jetë i ndryshëm, jo vetëm me zbritje të listës së fituesve pas mbylljes së regjistrimit paraprak, por edhe me hedhjen në qarkullim të një formulari A-3 preferencash.

Regjistrimi i parë

Pranë sekretarive të fakulteteve po vijon regjistrimi paraprak, që sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit do të mbyllet pasditen e datës 18 shtator. Pas këtij afati do të mundësohet renditja e re e fituesve, ku përveç lëvizjeve të preferencave nga një më e ulët në një më të lartë do të spostohet dhe vija e fituesve, duke përfshirë në listë edhe kandidatë që nuk u shpallën fitues në fazën e parë.

Kuotat e parealizuara

Formulari A-3 do të jetë individual dhe bazohet në databasen aktual që disponon Agjencia. Në këtë të fundit pritet të listohen edhe një herë të gjitha degët që pas mbylljes së regjistrimeve në dy fazat e para do të rezultojnë vende të shumta të mbetura bosh. Ky formular do të plotësohet vetëm nga kandidatët që nuk kanë fituar asnjë të drejtë studimi akademik për këtë vit. Plotësimi edhe një herë i dhjetë preferencave (vetëm për degët që do të kenë kuota bosh), do të mundësojë një renditje të re fituesish, për të cilën gjatë muajit tetor do të çelet një fazë e caktuar regjistrimesh. Megjithatë, edhe për këtë vit pritet që ky formular, që do të shpërndahet pranë drejtorive arsimore, të jetë veçanërisht për fakultetet e rretheve dhe programet e reja akademike që janë hapur këtë vit, të cilat janë përzgjedhur më pak nga maturantët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›