Universitetet, fituesit më 12-13 shtator
Fituesit në universitete do të shpallen në datat 12-13 shtator. Sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve, pikët do të nisin të llogariten vetëm pas mbylljes së konkurseve në degën e Arkitekturës dhe ato të Universitetit të Sporteve. “Më datë 27 gusht fillojnë konkurset në të gjitha universitetet, për programe studimi që janë të parashikuara me konkurse. Pas mbarimit të tyre në datën 5, më datë 6 ne sjellim rezultatet e konkurseve. Futen në sistem dhe pastaj përbëhet përpunimi sipas parimit meritë- preferencë për të shpallur listat paraprake”, kanë deklaruar drejtuesit e AKP-së. Dje kanë nisur aplikimin për Formularin A2, 200 maturantë, të cilëve u është dhënë mundësia e fundit për të hyrë në garën për të zënë një vend në arsimin e lartë. Maturantët nga rrethet duhet të vijnë në Tiranë për të aplikuar. Kjo mënyrë është parë si lehtësisht e kontrollueshme duke evituar abuzimet. Maturantët do të kenë afat edhe sot për të plotësuar formularin.