Universitetet, kampuse me fonde shtetërore edhe për privatët

Reforma e financimit në arsimin e lartë, është çështja e kësaj vere, të paktën në fushën e arsimit, ky është një nga projektet prioritare. Një projekt-draft tashmë është bërë gati, me sugjerime dhe alternativa, propozime, si dhe përqasjen e modeleve të tilla në vende të tjera që e kanë implementuar këtë reformë.
Ndërkohë që veç të gjitha këtyre diskutimeve të hedhura në letër, drafti përmban disa pyetje dhe shtron një listë çështjesh, të cilat kanë nevojë për reflektim dhe mbi të gjitha për shqyrtim të detajuar, nga ana e specialistëve të arsimit të lartë, apo profesorateve të universiteteve të ndryshme në vend.
KërkesatPër të parën herë në vendin tonë, kërkohet që sistemi publik dhe ai privat të trajtohen njësoj dhe të mos diskriminohen. Konkretisht kërkohet që reforma të nisë pikësëpari nga vendosja e mekanizmave bashkëkohorë në universitetet publike, si dhe dhënia e lirisë për stafet akademike dhe drejtuesit e universiteteve.
Por jo vetëm kaq, kërkohet që ato vetë të përcaktojnë kuotat, tarifat, investimet, kërkimin shkencor. Sipas draftit të publikuar pak ditë më parë, kërkohet që të ketë kushte të barabarta për universitetet publike dhe jopublike jo vetëm lidhur me studentin, por edhe për infrastrukturë. Kjo do të thotë se shteti duhet të financojë universitetet private edhe duke i vendosur në dispozicionin tuaj apo hapësira për ngritjen e kampusve, për ndërtimin e infrastrukturës, godinave të nevojshme.
“Do të jenë studentët ata që duke zgjedhur fakultetet do të bëhen faktor nxitës e seleksionues për rritjen e cilësisë dhe standardeve të ofertës universitare”, thuhet në draftin “reforma e financimit të arsimit të lartë”. Sipas këtij propozimi, në thelb, një sistem financimi i bazuar te studentët është ai në të cilin universitetet e lejuara në bazë të ligjit kanë të drejtë të marrin shumicën e fondeve të tyre në bazë të numrit të lejuar të studentëve që ata regjistrojnë.
Draft-propozimiPër çështjen e financimit të institucioneve të arsimit të lartë, publike apo private, grupi i punës ka paraqitur një draft tek i cili shpjegohet fije e për pe, mënyra e financimit në shtet dhe në privat. Kryesorja në këtë draft është kuponi i edukimit. Nëpërmjet këtij kuponi, studentët do të zgjedhin nëse duhet të vazhdojnë studimet në universitet privat apo shtetëror; nëse do të duan të qëndrojnë në një filial universitar pranë qytetit të banimit, apo nëse do të vijnë në Tiranë. Kjo reformë pritet të ulë hendekun e lartë të çmimeve që paguajnë universitetet private në krahasim me ata publikë, por mund të shkaktojë edhe probleme sociale për të gjitha ato familje që nuk kanë mundësi të paguajnë diferencën e çmimit për të përzgjedhur një universitet cilësor.
#