Nis festivali i 48-të i këngës për fëmijë
Festivali i këngës për fëmijë, u çel dje pasdite në qytetin e Shkodrës, atje ku zhvillohet për çdo vit dhe ku është kthyer në një traditë e cila vijon për gati gjysmëshekulli. Festivali mbarëkombëtar i fëmijëve, këtë vit shënon edhe të 48-in vit të organizimit të tij. Kjo veprimtari është e vetmja në vend kushtuar këngës së fëmijëve. Kujtim Alia, drejtori artistik i këtij festivali shprehet se këtë edicion ka një paraqitje tepër profesionale nga ana e fëmijëve pjesëmarrës dhe kjo me siguri që do ta bëjë akoma edhe më të vështirë përzgjedhjen e fituesit. Përgjatë tri netëve të festivalit do të paraqiten krijimet më të mira të kënduara nga rreth 25 këngëtarë të vegjël, të cilët vijnë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia. Në natën e parë do të startojnë 17 këngët e para, interpretuesit e të cilëve vijnë nga qytetet kryesore të Shqipërisë, si Tirana, Shkodra, Durrësi, Fieri etj. Po kaq këngë do të interpretohen edhe në natën e dytë të festivalit, ndërkohë që për natën e tretë, atë të datës 21 qershor, që është edhe nata finale, në skenë do të interpretohen 22 këngët e përzgjedhura. Edhe këtë edicion, bazuar në traditën e krijuar vitet e fundit, juria e festivalit u është besuar vetë fëmijëve, votat e të cilëve do të përcaktojnë fituesit e këtij edicioni. Stafi organizator i këtij festivali përbëhet nga drejtori artistik, Roland Guli, redaktor përgjegjës, Bardhyl Hysa, regjisor Osman Mula, skenariste dhe drejtuese e festivalit Manjola Lloja. Ky eveniment muzikor është mundësuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve, Bashkia Shkodër, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës etj. Festivali i parë për fëmijë është mbajtur në Shkodër në vitin 1963, me iniciativën e forcave krijuese të qytetit të Shkodrës. Në edicionin e katërt të tij ai zgjeron gjeografinë dhe paraqitet përfundimisht si festival mbarëkombëtar.
#