E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërblime për bluzat e bardha të QSUT



zirina llambro

Brenda prillit të gjithë bluzat e bardha në spitalin "Nënë Tereza" do të përfitojnë shpërblime mbi pagën. Drejtoria e QSUT-së ka vendosur të përdorë për motivim në punë, fondin e grumbulluar prej 11 muajsh nga të ardhurat dytësore. Gjatë një takimi me shefat e pavijoneve, drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, i vuri ata në dijeni për këtë vendim. Përpos kësaj, Dashi sqaroi edhe mënyrën se si do të shpërndahen shpërblimet. "Një fond i grumbulluar që nga maji i vitit të kaluar, por edhe nga hapësira që na jep ligji, duke i përdorur ato deri në masën 30 për qind për shpërblime, do të vijnë tek ju këtë muaj. Deri tani janë bërë kalkulimet për çdo pavijon. Këto para do të vihen në dispozicionin tuaj. Shuma prej 20 për qind do të shkojë për shefin e pavijonit, kurse pjesa tjetër do të shpërndahet për personelin, sipas performancës së tij në punë", tha Dashi. Ai nënvizoi se, shefat e shërbimeve do të jenë të lirë të vendosin se cilët mjekë apo infermierë do të shpërblehen më shumë. "Do të jeni ku që do të përcaktoni se kujt infermieri, mjeku të pavijonit duhet t'i jepni më shumë para, për shkak të punës me cilësi që ai ka ofruar ndaj pacientit", tha drejtori i QSUT-së. Një tjetër pikë e diskutuar gjatë mbledhjes me shefat e pavijoneve ka qenë edhe çështja e korrupsionit. Dashi u kërkoi bluzave të bardha të mos bien preh e tij, pasi tashme e tutje për rastet që do të denoncohen do të ketë largime nga puna. "Gjatë një takimi që kam pasur me ministrin e Shëndetësisë, më ka kërkuar t'ju përcjell juve dhe nëpërmjet jush të gjithë personelit, që për të gjitha rastet e korrupsionit, të cilat do të denoncohen si në media, ashtu edhe në zyrat tona do të ketë masa, të cilat janë largime të menjëhershme nga puna", tha Dashi. Ai kërkoi gjithashtu, zbatimin e të gjithë urdhrave të lëshuar deri tani. "Janë ngritur tri grupe pune, të cilët janë duke kontrolluar të tre urdhrat e sipërpërmendur. Aktualisht shihet një ndryshim, por do t'ju kërkoj më shumë punë për të arritur në atë që duam ne dhe që këto urdhra të mos mbeten porosi në letër", thekso i Dashi. Për sa i përket urdhrit të medikamenteve, drejtori i QSUT-së theksoi se çdo pavijon duhet të furnizohet me to, pavarësisht se ndodhen në farmacinë qendrore të QSUT-së apo në ato periferike, ndërsa ka kërkuar një bashkëpunim më të mirë mes farmaciste-kryeinfermierëve-shefa pavijoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›