E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, nis sot llogaritja e pikëve, si do të përcaktohen fituesit

SHKRUAN: Jonida Tashi 01-08-2011 15:12

Nis sot përllogaritja e pikëve për rreth 40 mijë maturantë që kanë hyrë në garën e pranimeve në universitete. Pas marrjes në dorëzim të formularëve A2, specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, në bazë të dhënave të marra nga Formulari A2 do të nisin përllogaritjen e pikëve për fituesit në universitete. Skema e përllogaritjes së pikëve për në universitetet do të jetë e njëjtë me atë të vitit të shkuar. Ky fakt konfirmohet nga burime zyrtare të Ministrisë së Arsimit, të cilat shpjegojnë se edhe këtë vit do të përdoret e njëjta formulë për llogaritjen e pikëve, që bazohet në pesë komponentë për degët pa konkurs pranimi. Kështu, sipas kushteve të përcaktuara nga MASH, maturanti që dëshiron të vazhdojë studimet në universitetet publike duhet të ketë fituar 5 rezultate: notën mesatare të shkollës së mesme, 2 nota të shkallëzuara në provimet e detyruara, Letërsi dhe Matematikë, dhe 2 nota të shkallëzuara në dy provimet me zgjedhje. Në bazë të këtyre notave, për secilin maturant llogariten pikët që ai fiton dhe që shërbejnë për të konkurruar për studime në programe të ndryshme studimi në universitete. Formula e thjeshtë dhe më e përdorshme për llogaritjen e pikëve është: [( D1 + D2 + MES)KSH + Z1xKZ1 + Z2xKZ2] x 100, ku: D1, D2, MES, Z1, Z2 janë respektivisht notat e shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore të Letërsisë, Matematikës, mesatares së shkollës, të lëndës së parë dhe të dytë me zgjedhje; KSH - është koeficienti i shkollës; KZ1, KZ2 - janë koeficientet e lëndëve me zgjedhje, që propozohen nga universitetet. Specialistët e arsimit shpjegojnë se bazuar në këtë formulë dhe duke pasur në dorë notat e katër provimeve, maturantët mund ta bëjnë vetë llogaritjen paraprake të pikëve, për t’i krahasuar më pas me ato që do të publikohen në Librin e Transparencës, që pritet të dalë pas 15 gushtit. Përveç mosndryshimit të formulës së pikëve, edhe metodologjia që do të përdoret për përcaktimin e fituesve të universiteteve do të mbetet po e njëtjë me vitin e kaluar, ndërkohë që autoritetet e arsimit premtojnë një proces transparent që nuk ka synim penalizimin e maturantëve. Sipas burimeve zyrtare nga MASH, rezultatet do të nxirren në sajë të lexuesit optik, që është një program kompjuterik i posaçëm që përdoret për të përcaktuar fituesit, e ku baza e të dhënave do të jenë ato që maturantët kanë plotësuar në Formularin A2. Më konkretisht, në Formularin A2 merren kërkesat e maturantëve për programet e studimit që ata duan të ndjekin si dhe nota mesatare e maturantit. Kjo e fundit përbën elementin e pestë të Meritës, i domosdoshëm në formulën llogaritëse të pikëve të maturantit. Kërkesat e maturantëve për programe studimi janë 10, të renditura sipas preferencave të tyre, që merren parasysh në klasifikimin përfundimtar. Me marrjen dhe hedhjen e këtyre kërkesave, në bazën e të dhënave janë të gjithë elementët e nevojshëm për llogaritjen e pikëve të secilit maturant. Për përcaktimin e fituesve, ndër kandidatët maturantë konkurentë përdoret një program kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi, sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë. Më pas, në bazë të të dhënave të rezultateve në pikë, dhe kuotave të miratuara për çdo program studimi, ministri i Arsimit vendos kufirin e kalueshmërisë, që quhet “Cutoff”, thënë ndryshe, kjo është viza në lista që ndan fituesit nga humbësit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›