E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimnazistët jashtë vendit, njohja e gjuhës shqipe, kusht për të aplikuar këtë vit në universitete



Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Republikën e Shqipërisë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm për të vijuar studimet universitare. Ky është rregulli i ri i vendosur këtë vit nga drejtuesit e Arsimit, sipas të cilëve, zotërimi i gjuhës shqipe do të vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore, për t’u pranuar në universitetet publike, duhet të japin Matematikën dhe Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, ose një nga gjuhët e huaja të menysë së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë (provimet me detyrim D1 dhe D2). Për provimet me zgjedhje (Z1 dhe Z2) do të respektohet zgjedhja individuale, përveç gjuhës së huaj, kur këtë e kanë dhënë si provim të detyruar. Me urdhër të ministrit të Arsimit, pranë MASH do të ngrihet një Komision i posaçëm për të shqyrtuar kërkesat e kësaj kategorie. Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit duhet të paraqesin pranë këtij Komisioni këto dokumente: kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në IALP; Dëftesën origjinale së bashku me listën e notave të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara; pasaportë ose kartë identiteti. Paraqitja e dokumenteve bëhet nga data 1 deri 15 prill 2010. Komisioni, pasi njeh vlefshmërinë e Dëftesës shkollore, përcakton mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur nëse provimet e dhëna që figurojnë në këtë dëftesë janë ekuivalente me Maturën Shtetërore. Në rastet kur Komisioni vlerëson se dokumentet shkollore nuk dëshmojnë për dhënien e provimeve ekuivalente me Maturën Shtetërore, ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe notat e provimeve të detyruara D1 dhe D2. Këto nota Komisioni ia përcjell zyrtarisht KMSH-së DAR/ZA-së, ku shtetasi shqiptar ka vendbanimin, deri në datën 30 prill 2010. KMSH e DAR/ZA-së përcjell këto të dhëna në AVA dhe APRIAL dhe cakton shkollën ku kandidati do të kryejë provimet me zgjedhje dhe ku do të plotësojë formularët përkatës, duke i përcjellë kësaj shkolle dhe notat që ka përcaktuar Komisioni i posaçëm.

18 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›