E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti “Një OKB”, një dështim më shumë në Shqipëri



Shaqir Tona

Para disa vitesh, në bashkëpunim edhe me zyrtarët shqiptarë, OKB-ja shpalli me bujë jo të zakonshme pilotimin e një projekti të ri në Shqipëri: Iniciativën "Një OKB", ose, siç flitet nëpër korridoret e PNUD-it, iniciativën "One UN". Substanca e kësaj iniciative është grumbullimi i organizatave të sistemit të OKB-së nën një ombrellë të vetme. Nëse hyn në ueb sajtin e OKB-së në Tiranë, konstaton se nën këtë ombrellë janë përfshirë që prej disa vitesh PNUD-i, UNICEF-i, UNHCR-ja, UNIFEM-i, UNFPA-ja e madje edhe organizata të tjera si ILO, IOM, Banka Botërore etj.
Por pse u shpall me bujë iniciativa “Një OKB”? Në fakt, shpallja e kësaj iniciative ishte përgjigje ndaj ngadalësisë dhe plogështisë së aparatit të stërmadh të OKB-së si dhe kostove të larta të funksionimit të kësaj organizate. Mungesa e eficiencës, rënia e prestigjit, ritmet e ulëta dhe jo shumë të efektshme të ndërhyrjeve të saj, i detyruan drejtuesit e organizatës, por edhe financuesit e saj, të kërkojnë rrugë të reja. Qëllimi ishte i dyfishtë: të rritej efektshmëria e ndërhyrjeve dhe projekteve të organizatave të sistemit të OKB-së, por edhe të shkurtoheshin shpenzimet e mbajtjes së aparatit të saj të rënduar.
Disa vjet pas propagandimit të kësaj iniciative, cilat janë rezultatet? Është pak të themi zhgënjyese; ato janë në kufijtë e paradoksit! Ato komprometojnë hapur dhe në mënyrë sarkastike idetë e pagëzuesve të kësaj iniciative. Të paktën në Shqipëri.
Gjatë periudhës së zbatimit në Shqipëri të kësaj iniciative, numri i projekteve që zbatohen në vend nga organizatat e sistemit të OKB-së pothuajse është përgjysmuar. Rënia e numrit të projekteve është një fakt që stigmatizon pretendimet e burokratëve ndërkombëtarë për suksesin e iniciativës "Një OKB" në Shqipëri. Nëse kjo iniciativë është e suksesshme, përse ka rënë atëherë numri i projekteve dhe financimet për to? Në një kohë që shpenzimet administrative të funksionimit të organizatave të sistemit “Një OKB” janë rritur në mënyrë marramendëse? Ueb sajti i OKB-së në Shqipëri duket shumë i pasur, me projekte të larmishme. Por shumica e tyre, edhe pse të marketizuar pas emrave të bujshëm, kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të pandjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptarëve. Pandjeshmëria e projekteve të PNUD-it, një pjesë e të cilave shfaqen tashmë nën logon e OKB-së, në jetën dhe shoqërinë shqiptare është bërë anektodike. Aq sa zyrtarë të lartë të organizatës, siç pohojnë vetë punonjësit shqiptarë të organizatave të sistemit të OKB-së në Tiranë, në dalldinë e vetëkënaqësisë nuk ngurrojnë të shprehen me sarkazëm nëpër hotelet luksoze të Tiranës: “Jemi këtu për të ndihmuar Shqipërinë, apo veten?” Pak a shumë, sipas versionit më të të ri të gjëegjëzës për OJQ-të: “Çfarë janë OJQ-të?” - pyet dikush. "OJQ-të janë ca mekanizma që mbledhin paratë e të varfërve në vendet e pasura dhe ua shpërndajnë të pasurve në vendet e varfra".

Që iniciativa “Një OKB” është baras me një dështim e provon edhe fakti se përse nga 25 zyra që ka PNUD-i në Europë, ky eksperiment u vendos të bëhet vetëm në Shqipëri. Ishim më nevojtarët? Ishim më të varfrit? Ishim më të privilegjuarit? Apo ishim vendi me qeverinë më kokulur që pranon çfarëdo lloj eksperimenti në kurriz të popullit dhe të vendit të vet? Pasi u bëmë për 50 vjet një pre e eksperimentimeve delirante të regjimit totalitar, tashmë atdheut të shqipeve burokratët e OKB-së i kanë rezervuar, me sa duket, një provë tjetër eksperimentale. Trojka e ambasadorëve të OKB-së, që vizitoi para pak kohësh Shqipërinë, po të dëgjosh zyrtarët përkatës që jetojnë në Shqipëri me fondet e derdhura lumë të iniciativës “Një OKB”, iku e kënaqur. Por një zot e di përmbajtjen e raportit që mund të shkruajnë këta zyrtarë, të cilët panë me sytë e tyre dështimin, edhe pse të maskuar nga buzëqeshjet e shtirura të zonjës së parë të kësaj iniciative të OKB-së në Tiranë.

Pas shpalljes së nismës “Një OKB” në Shqipëri, ashtu si edhe para saj, në vend vërshuan taborë misionarësh, menaxherësh, koordinatorësh, konsulentësh dhe eksploratorësh nga të katër anët e globit, të cilët vijnë për t’u dhënë mend shqiptarëve. Nuk jemi aspak ksenofobë, por e kemi fjalën për cilësinë dhe kreditet e këtyre konsulentëve. Për institucionet shqiptare tingëllojnë si fyerje t’u japin mend ekspertë që nuk i njeh njeri në vendin e tyre dhe nuk kanë arritur dot të ndryshojnë vendet e tyre. Persona të tillë, që vijnë në Shqipëri me frakun e konsulentit, në më të shumtën e rasteve imponojnë kopjimin e modeleve të dështuara në vendet e tjera. Duke qenë të superpaguar, ata përfitojnë nga shifrat që llogariten si ndihma për Shqipërinë, por që faktikisht ndërrojnë destinacion dhe shndërrohen në paga konsulentësh.

Mbijetesa në Shqipëri e organizatave të tilla të superfinancuara si PNUD-i dhe organizata të tjera të sistemit të OKB-së, në një kohë që qeveria përfundon marrëveshjen me FMN-në dhe kërkon largimin e saj, është një paradoks. Qeveria duhet të shpjegojë se përse largohet FMN-ja, që është një oponente e qeverisë dhe mbetet PNUD & Co, që janë në fakt përfituese të parave të destinuara për Shqipërinë. Mbingarkesa në Shqipëri e organizatave dhe nismave të tilla si ajo “Një OKB” dhe mbizotërimi i projekteve me natyrë humanitare, është një barrë që ngadalëson integrimin euroatlantik të vendit. Shqipëria ka nevojë për projekte zhvillimi, jo për vizita e misione konsulentësh. As për eksperimentime modelesh që nuk përmbajnë asgjë të re.

25 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›