Kapet i shumëkërkuari nga policia, plagosi një shtetas me thikë
LEZHË – Pas gati dy muaj kërkimesh është bërë e mundur që të arrestohet një person, i konsideruar me “rrezikshmëri të lartë shoqërore”, pasi kishte plagosur me thikë një shtetas. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se ditën e hënë është organizuar një operacion për kapjen e shtetasit Gjok Lleshaj, lindur dhe banues në Borizanë. 41-vjeçari Lleshaj kërkohej për një vrasje të mbetur në tentativë, më datë 27 shtator të këtij viti. “Gjok Lleshaj, teksa ndodhej në superstradën Lezhë–Laç, në afërsi të kryqëzimit Gajush, ka tentuar të vrasë me armë të ftohtë, (thikë) shtetasin Angjelin Përshpali, duke e lënë të plagosur në gjendje të rëndë”, - shprehet zëdhënësja e Policisë, Eljona Nika. Sipas saj, “Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Lezhës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për autorin e kësaj ngjarje. Burimet policore sqarojnë se Gjon Lleshaj është person me precedent kriminalë, me një rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sipas tyre, në vitin 1998, ai ka qenë i dënuar për veprat penale “marrëdhënie seksuale me të mitur”, “kanosje” dhe “heqje lirie të një të miture”. I prangosuri kthehet sërish në qeli ndonëse është dënuar nga gjykata e Lezhës me 10 vjet heqje lirie për krimet e kryera më parë.
Rrëzohet kërkesa e Bollanos për ndryshimin e gjyqtarit
VLORË – Trupi gjykues që po merret me procesin “Bollano” nuk do të ndryshojë. Ky është vendimi që ka marrë gjykata dje, duke rrëzuar kërkesën e avokatit të kryetarit të Bashkisë së Himarës. Gjatë seancës së djeshme avokati Petraq Curri, në emrin e kryebashkiakut Bollano, kërkoi ndryshimin e njërit prej gjyqtarëve, pasi e konsideroi të njëanshëm qëndrimin e gjyqtarit Shkëlzen Selimi. Madje ai e ka quajtur çështje me ngjyrime politike. Prokurori Sokol Malaj është shprehur se në këtë çështje nuk ka paanshmëri, pasi kërkesa e bërë nga gjykatësi për ndryshimin e ekspertëve është pranuar nga gjykata dhe pikat e parashtruara nuk janë arsye pse duhet të ndryshohet trupi gjykues. Malaj ka shtuar se kërkesa e avokatit është një “shoë” për t’i dhënë ngjyrime çështjes. Pretendimi i mbrojtjes se janë rrëzuar dy pyetje nuk tregon paanshmëri, pasi mos pranimi i detyrave nuk mund të quhet si shkak. Tashmë çështja do të gjykohet nga i njëjti trup gjykues dhe pritet që të jepet vendimi në lidhje me akuzën që rëndon ndaj kryetarit të Bashkisë, Vasil Bollano për shpërdorim detyre në masën 2.1 milionë lekë.
25 Nentor 2008