E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk pendohem,na rrihte sistematikisht

12/10/2011  Vrau të birin, mbetet në burg 72-vjeçari

POGRADEC-“Burg pa afat” është masa e sigurisë e dhënë nga gjykata e Pogradecit ndaj babait që vrau me sëpatë djalin e tij mesditën e së shtunës në fshatin Vërdovë të këtij qyteti. Në seancën e djeshme 72-vjeçari Njazi Kromollari ka rrëfyer për trupin gjykues se nuk është penduar për krimin, duke deklaruar se të dy prindërit dhunoheshin vazhdimisht nga viktima, Kudret Kromollari, 33 vjeç. I pandehuri tregoi se ditën që vrau djalin, i biri kishte ardhur si përherë i dehur në shtëpi dhe kishte nisur ta keqtrajtonte siç bënte zakonisht. Pas kësaj i moshuari e ka goditur atë me sëpatë, duke i marrë dhe jetën. Në seancën e djeshme, akuza ka kërkuar arrest me burg për 72-vjeçarin ndërsa ka shpjeguar edhe njëherë skenën e krimit. Kurse sipas palës mbrojtëse i pandehuri kishte shenja dhune në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, gjë që është vërtetuar edhe me herët nga raportet mjeko-ligjore. Gjykata e Pogradecit kishte lëshuar para tragjedisë një urdhër -mbrojtjeje për dy të moshuarit Kromollari, prindërit e viktimës, duke u bazuar në kërkesën e bërë nga këta të fundit dhe në raportin e lëshuar nga mjekësia ligjore ku vërtetohej dhuna e pësuar. Në seancën e djeshme i pandehuri është mbështetur moralisht edhe nga të afërm të tij, të cilët kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit. Njazi Kromollari është babai i 11 fëmijëve, ndërkohë që viktima ishte fëmija i shtatë i tij. Fundjavën e kaluar i moshuari masakroi me sëpatë të birin brenda në shtëpinë e tyre në fshatin Verdovë. Viktima ishte martuar pak kohë më parë dhe e shoqja është në muajin e tretë të shtatzënisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›