E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot gara në PS, Rama: Berisha, Meta e Nano duan të më gjunjëzojnë

 

Aristir Lumezi

Kryetari në detyrë i PS-së iu përgjigj dje akuzave të Fatos Nanos në adresë të tij. Rama tha se me gjithë përpjekjet e tyre, Berisha-Meta-Nano nuk kanë për ta gjunjëzuar Partinë Socialiste. “Sot më shumë se kurrë Partia Socialiste ka dhe ndjen detyrimin që të vendosë publikisht përpara përgjegjësisë morale fajtorët për gjendjen e rëndë ekonomike e shoqërore ku ndodhen shqiptarët. Të cilët as nuk lëvizin dot lirisht në Evropë si fqinjët tanë, as nuk mund ta përballojnë dot më rënien e ekonomisë së tyre familjare dhe as mund të gënjehen nga propaganda e shëmtuar e Sali Berishës, Ilir Metës, Fatos Nanos dhe shërbëtorëve të tyre, që duan me çdo kusht ta gjunjëzojnë Partinë Socialiste e përditë bëjnë çmos të fajësojnë opozitën për këtë gjendje të padurueshme”, u shpreh dje Rama, gjatë një deklarate për shtyp.
Partia Socialiste është shprehur e shqetësuar se vendi po kalon një krize të rëndë ekonomike e politike, për faj të interesave të ngushta të disa personave. Një ditë para zgjedhjeve për kreun e socialistëve, në një deklaratë të shkurtër për shtyp, kryetari në detyrë i PS, Edi Rama, deklaroi dje se Shqipëria gjendet në një situatë të papranueshme, si dhe akuzoi Sali Berishën, Ilir Metën dhe Fatos Nanon, si autorët e kësaj gjendjeje. Sipas Ramës, PS ka detyrim sot më shumë se kurrë që të përballet me këtë krizë të rëndë dhe të mos lejojë që vendi e opozita të mbeten peng e kukulla në duart e Berishës, Metës e Nanos. Për këtë arsye, sipas Ramës, “PS do të luftojë më shumë se kurrë me gjithë fuqinë e saj për rivendosjen e ligjit e drejtësisë, ku interesat e ngushta të disa personave janë vënë mbi to”. Kryetari në detyrë i socialistëve vuri në dukje se Shqipëria po kalon një krizë politike, duke e kthyer politikën në një shfaqje të padenjë. Në këtë linjë Rama pohoi se kriza tjetër që ka përfshirë vendin, ajo ekonomike, ka futur vendin në një gjendje të papranueshme. “Jemi të shqetësuar sepse paratë e shqiptarëve përfunduan në shirita elektoralë”, theksoi Rama gjatë deklaratës për shtyp. Si pasojë e këtyre, PS konsideron se vendi ka hyrë në një krizë demokracie, si pasojë e propagandës së shëmtuar Berisha-Meta-Nano në zgjedhjet e 28 Qershorit. Rama theksoi se PS nuk do të tërhiqet nga bojkoti i Kuvendit, që erdhi si pasojë e mosnjohjes së zgjedhjeve të 28 Qershorit nga ky subjekt politik. Kreu i socialistëve ripërsëriti kërkesën e tij për hapjen e kutive të votimit, për të zbardhur sipas tij të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Opozita nuk lejohet të hapë kutitë, sepse e vërteta e këtyre zgjedhjeve është e kyçur në ato kuti. Sali Berisha e ka marrë peng të vërtetën e zgjedhjeve të 28-qershorit, prandaj, as qytetarët dhe as opozita nuk gjejnë drejtësi”, u shpreh Rama.
Partia Socialiste është e gatshme të hapë dyert dhe mirëpret të gjithë ata që duan të ndryshojnë këtë situatë”, përfundoi deklaratën e tij kreu i PS-së, Edi Rama.

Sot zgjedhjet për kreun e PS-së,Blushi: Gara është kompromentuar
Sot 82 mijë socialistë në të gjithë vendin do të votojnë për kreun e ri të PS. Në garën për kryetar janë Edi Rama dhe Maqo Lakrori. Pas një turi elektoral brenda PS-së, në 12 qarqet e vendit, Rama dhe Lakrori prezantuan këndvështrimin e tyre se si dot drejtojnë PS-në nëse fitojnë garën mes tyre. Sekretari Organizativ në PS, Blendi Klosi, përmes një konference për shtyp, i ftoi socialistët të marrin pjesë në votimin e sotëm për kreun e PS-së. “Më 26 shtator, të gjithë socialistët duhet të votojnë për cilindo nga kandidatët në garë, duke garantuar një proces të lirë e të ndershëm, dhe duke i dhënë një shtysë të fortë përpara Partisë Socialiste në këtë moment, kur politika po rrokulliset mbrapa, duke u dhënë shqiptarëve përditë shembuj të këqij të imoralitetit e të moskokëçarjes së plotë për hallet e për shpresat e tyre”, u shpreh Klosi. Ndërsa deputeti socialist, Ben Blushi hodhi dje dyshime për një proces të manipuluar në këtë votim. “Ka sinjale nga të gjitha rrethet që këto zgjedhje nuk po menaxhohen siç do të duhej, për të krijuar një diferencë mes mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet në Shqipëri më 28 qershor dhe zgjedhjeve brenda Partisë Socialiste.”, u shpreh Blushi.

Blushi e Malaj kundër bojkotit, i mbështet ambasadori suedez
Ambasadori suedez në Shkup Lars Freden, i cili mbulon me shërbim diplomatik dhe Shqipërinë, u takua me përfaqësues të “Lëvizjes për mendim ndryshe” në PS, Ben Blushi dhe Arben Malaj. Suedia është vendi që mban presidencën e radhës të BE-së. Në qendër të takimit ka qenë bojkoti i deputetëve socialistë ndaj parlamentit, ku ambasadori suedez është shprehur kundër bojkotit të socialistëve. Mësohet se ambasadori suedez është shprehur se këtë qëndrim ia ka transmetuar edhe kryetarit socialist në detyrë, Edi Rama gjatë takimit që ata kanë pasur dy ditë më parë. Ambasadori i vendit që mban presidencën e radhës së BE-së, mësohet të ketë thënë se parlamenti është vendi ku bëhet debati politik dhe ku mund të debatohet për plotësimin e kërkesave të socialistëve. Në takimin e zhvilluar në selinë rozë dy ditë më parë, nuk është bërë publike asgjë nga përmbajtja e tij, ndërkohë që ambasadori suedez ka vijuar takimet e tij konsultuese edhe me politikanë të forcave të tjera në lidhje me zhvillimet politike pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Që pas vendimit të socialistëve për të mos hyrë në Kuvend, faktori ndërkombëtar është shprehur kundër bojkotit të parlamentit. Robert Bosch, ambasadori i OSBE-së, por dhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Lohan janë shprehur se lufta politike zhvillohet në parlament, duke i kërkuar në këtë mënyrë socialistëve të ndërpresin bojkotin e tyre.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›